Kronikë

Operacioni ‘Ura’/ SPAK sekuestron 12 mln euro pasuri të 3 trafikantëve në Durrës! Dyqane, troje, apartamente, lokale, 10 prej tyre të Visit të Pojës (FOTOT)

28 Qershor, 13:15| Përditesimi: 28 Qershor, 18:33

  • Share

DURRËS- Gjykata e Posaçme, sekuestroi me kërkesë të SPAK-ut, 21 pasuri me vlerë 12 milionë euro në Durrës dhe zonat përreth, me dyshimet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal i trafikut të drogës. Hetimi pasuror nisi bashkë me autoritetet italiane në kuadër të operacionit “Ura”, për të cilin u firmosën më 21 maj 53 masa sigurie, 30 prej të cilave nga autoritetet shqiptare, në mesin e të cilëve edhe kreu i grupit Adi Çoba. Bëhet fjalë për sipërfaqe toke, ndërtesa, dyqane, bodrume dhe njësi biznesi si lokale e restorante në zonën e plazhit në Durrës.

10 prej pasurive të sekuestruara janë në emër të Elvis Doçit, i njohur si Visi i Pojës, i cili rezulton ende në kërkim. Në pasuritë e sekuestruara përfshihen truall dhe ndërtesë me sipërfaqe totale prej 530 m2 të Ervin Zeqirit dhe një tjetri, 9 pronat e shoqërisë “Majestic Konstruksion” sh.p.k. me sipërfaqe 3200 m2, në pronësi të Nazmi Shahinit, person i lidhur me Juxhin Draxhin.

Të sekuestruara janë edhe njësi shërbimi dhe bodrume në pronësi të Elvis Doçit dhe bashkëshortes së tij, me sipërfaqe të ndryshme që variojnë nga 29 m² deri në 197 m². Po ashtu, sipas Prokurorisë së Posaçme, mes pronave të sekuestruara janë edhe komplekse në zonën e Currilave, përfshirë një truall prej 867 m² dhe ndërtesë 300 m², si dhe pasuri të tjera në emër të familjarëve të Visit të Pojës, me sipërfaqe që arrijnë deri në 617 m².

Të gjitha këto pasuri dyshohet se janë ngritur ose blerë përmes të ardhurave të përfituara nga trafikimi i lëndëve narkotike dhe pastrimi i tyre. Pasuritë e sekuestruara janë marrë në administrim nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Ndërkohë, hetimi pasuror nga SPAK po vijon për të identifikuar pasuri të tjera të mundshme të fshehura në emër të personave të tretë ose të transferuara në mënyrë fiktive.

"Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me vendimin nr.36 të datës 20.05.2025 vendosi sekuestrimin e disa pasurive të lidhura me personat nën hetim, të përfshirë në veprimtari kriminale. Ky vendim është ekzekutuar më datë 21.05.2025. Pas kësaj, Prokuroria e Posaçme vijoi hetimet intensive dhe zbuloi edhe pasuri të tjera të lidhura me subjektet nën hetim. Përmes vendimit nr.39 të datës 20.06.2025, Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme dhe vendosi sekuestrimin e tyre. Vendimi u zbatua nga  hetuesit financiarë të Prokurorisë së Posaçme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit më datë 27.06.2025. Këto pasuri janë marrë nën administrimin e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Brendshme.

Hetimet u kryen në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore mes SPAK, Prokurorisë së Barit, Drejtorisë së Antimafias, me mbështetjen e Eurojust. Procedimi penal nr.36/2019 është regjistruar për veprat penale:“Trafikim i narkotikëve”,  kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, vepra të parashikuara nga nenet 283/a, 28/4, 333/a, 334 dhe 287 të Kodit Penal, janë evidentuar pasuri të cilët dyshohet se janë krijuar nga veprimtaria kriminale e trafikimit të lëndëve narkotike.

Procedimi pasuror nr. 10/2025 u regjistrua me qëllim verifikimin e pasurive të subjekteve të procedimit penal dhe personave të lidhur me ta, në total 52 persona (30 në Shqipëri dhe 22 në Itali), të cilëve më parë u është caktuar masa e sigurimit personal në të dy vendet. Pasuritë e sekuestruara vlerësohen përafërsisht në 12 milionë euro.   Hetimi pasuror lidhur me të gjithë subjektet vazhdon", njoftoi SPAK. 

Operacioni “Ura” u finalizua një muaj më parë dhe kishte në fokus tre grupe të krimit të organizuar, me aktivitet të gjerë në trafikimin ndërkombëtar të drogës, kokainë e heroinë, pastrim parash dhe shpërdorim detyre. Hetimet nisën në 2016-ën dhe u intensifikuan në 2020-ën, ku zbuluan se rrjetet kriminale trafikonin drogë në Itali dhe vende të tjera të Evropës. Nga përgjimet dhe monitorimet, përfshirë bisedat e koduara SkyECC, u dokumentuan transaksione CASH deri në 5 milionë.

Paratë e trafikut depërtonin në ekonomi, përmes kompanive, pronave të paluajtshme, mediave lokale, transportit dhe bareve. Pjesë e organizatës ishin 3 nëngrupe kriminale, baza e njërit në Durrës dhe 2 të tjerët në Itali, në Puglia. Përveç trafikantëve të drogës, i përfshirë ishte edhe një avokat. Ky operacion është një goditje masive ndaj rrjeteve kriminale që funksiononin si “urë” midis Ballkanit, Italisë dhe Amerikës Latine.

Kjo është hera e dytë që këtij grupi iu sekuestrohen pasuri. Më 21 maj, kur u ndërmor edhe operacioni, u vendos sekuestro për miliona euro pasuri, përfshirë 2 kompani ndërtimi, 4 restorante luksoze, 1 agjenci imobiliare, 1 televizion në Vlorë, të dyshuara që vinin nga trafiku ndërkombëtar i drogës. Ndërkohë, në vendin fqinj janë sekuestruar 9 apartamente, 4 kompani, 7 llogari bankare dhe 3 makina.

Lista me pasuritë e sekuestruara
Pasuria e paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 282.5 m2 dhe ndërtesë me sipërfaqe 248 m2, e cila rezulton në pronësi të shtetasve Ervin Zeqiri në ½ pjesë dhe K.J. në ½ pjesë (pasuri e lidhur me subjektin e procedimit pasuror E.Z.), me vendodhje në Durrës.
Pasuria e llojit ndërtesë, me sipërfaqe 257.63 m2, në pronësi të shoqërisë “Majestic Konstruksion” sh.p.k (me ortak shtetasin Nazmi Shahini, person i lidhur me subjektin e procedimit pasuror J.D.), Durrës;
Pasuria e llojit njësi, me sipërfaqe 291 m2 në pronësi të shoqërisë “Majestic Konstruksion” sh.p.k., Durrës;
Pasuria e llojit njësi, me sipërfaqe 205 m2 në pronësi të shoqërisë “Majestic Konstruksion” sh.p.k., Durrës;
Pasuria e llojit njësi, me sipërfaqe 257.63 m2 në pronësi të shoqërisë “Majestic Konstruksion” sh.p.k., Durrës
Pasuria e llojit njësi, me sipërfaqe 257.63 m2 në pronësi të shoqërisë “Majestic Konstruksion” sh.p.k. Durrës;
Pasuria e llojit njësi, me sipërfaqe 257.63 m2 në pronësi të shoqërisë “Majestic Konstruksion” sh.p.k. Durrës;
Pasuria e llojit njësi, me sipërfaqe 257.63 m2 në pronësi të shoqërisë “Majestic Konstruksion” sh.p.k. Durrës.
Pasuria e llojit njësi, me sipërfaqe 257.63 m2 në pronësi të shoqërisë “Majestic Konstruksion” sh.p.k. Durrës;
Pasuria e llojit njësi, me sipërfaqe 257.63 m2 në pronësi të shoqërisë “Majestic Konstruksion” sh.p.k., Durrës;
Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 300 m2, me adresë Rruga Plazh/10 Durrës e regjistruar ne emër te Nazmi Shahini.
Pasuria me sipërfaqe 197 m2, lloji i pasurisë Njësi, ndodhur në Durrës, në pronësi të subjektit të procedimit pasuror Elvis Doçi dhe personit të lidhur me të H.D. (bashkëshortja);
Pasuria me sipërfaqe 135 m2, lloji i pasurisë Njësi, ndodhur në Durrës, në pronësi të subjektit të procedimit pasuror Elvis Doçi dhe personit të lidhur me të H.D. (bashkëshortja);
Pasuria e llojit “bodrum”, me sipërfaqe totale 20 m2, Durrës, në pronësi të subjektit të procedimit pasuror Elvis Doçi dhe personit të lidhur me të H.D. (bashkëshortja);
Pasuria me sipërfaqe 70 m2, Durrës, në pronësi të subjektit të procedimit pasuror Elvis Doçi dhe personit të lidhur me të H.D. (bashkëshortja);
Pasuria me sipërfaqe 34 m2, Durrës, në pronësi të subjektit të procedimit pasuror Elvis Doçidhe personit të lidhur me të H.D. (bashkëshortja);
Pasuria me sipërfaqe 29 m2, Durrës, në pronësi të subjektit të procedimit pasuror Elvis Doçi dhe personit të lidhur me të H.D. (bashkëshortja);
Pasuria me sipërfaqe 867.13 m2, nga të cilat 867.13 m2 truall dhe 300 m2 ndërtesë, ndodhur në Durrës, Currila;
Pasuria e llojit truall, ndodhur në Durrës, Currila, me sipërfaqe 500 m2, në pronësi të shtetasve B.D. dhe D.D., persona të lidhur (familjarë) me subjektin e procedimit pasuror Elvis Doçi;
Pasuria ndodhur në Durrës, Currila, e llojit truall me sipërfaqe 617.6 m2 nga të cilat ndërtesë 54.52 m2, në pronësi ta shtetasve B.D. dhe D.D., persona të lidhur (familjarë) me subjektin e procedimit pasuror Elvis Doçi;
Pasuria ndodhur në Durrës, Currila, e llojit truall me sipërfaqe 87 m2, dhe ndërtesë 52 m2, në pronësi të shtetasve B.D. dhe D.D., persona të lidhur (familjarë) me subjektin e procedimit pasuror Elvis Doçi;

 

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ilir: 29/06/2025 08:27

    Sa e shet SPAK ate lokalin buze detit se jam i interrsuar?

    Përgjigju
  • XXX: 28/06/2025 21:42

    Kta bejne veten show e zhurme, sepse pas 1 viti jua kthejne prap sic jua kthyen te gjitha Balilëve.

    Përgjigju
  • flora: 28/06/2025 21:07

    KTHEJINI NE SHTEPI PUSHIMI PER FEMIJET E POLICEVE DHE USHTARAKEVE TE VRARE NE SHERBIM TE POPULLIT.....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A po zbatohet siç duhet rregullorja e re për plazhet publike në Shqipëri?