Kronikë

Operacioni Ura/ Report Tv zbardh dosjen italiane dhe dëshminë e Dumanit: Grupi i Troplinit më i fuqishmi, Hamburgun e 'pushtuan' me kokainë

21 Maj, 15:25| Përditesimi: 21 Maj, 23:50

  • Share

Report Tv ka siguruar pjesë nga dosja italiane e goditjes së grupit kriminal të trafikut të drogës me bazë në Durrës. Organizata me shtrirje ndërkombëtare u zbulua nga autoritetet italiane, pas një hetimi të thelluar të udhëhequr nga Prokuroria e Antimafias në Bari, në bashkëpunim me SPAK-un.

Në dosje rezulton se Adi Çoba të jetë drejtuesi i organizatës, i cili drejtonte trafikun e drogës nga Shqipëria. Ai siguronte dhe dërgonte nga jashtë, sasi të mëdha heroine dhe kokaine në Itali. Çoba i njohur edhe me pseudonimin 'Bisha' ose i 'shëndoshi', koordinonte dhe drejtonte nga Shqipëria aktivitetet e anëtarëve të tjerë të organizatës, shqiptarë dhe italianë.

Grupi u fundos nga dëshmitë e 3 të penduarve të drejtësisë, ku një prej tyre edhe Nuredin Dumani, i cili ka zbardhur rolet e çdo personi të përfshirë në këtë grup që trafikonte drogë .Dëshmitë e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, përpara prokurorëve italianë kanë ofruar detja interesante për disa nga emrat më në zë të krimit, por dhe personazhe, të cilët kanë vepruar, pa u ekspozuar më parë. Në dosjen italiane që Report Tv siguron, bashkëpunëtori i drejtësisë, ka përshkruar aktivitetin kriminal të Xhevdet Troplinit dhe nipit të tij Elvis Doçi, i njohur ndryshe si Visi i Pojës. Sipas tij, Troplini drejton një grupet më të rrezikshëm në vend, ku nipi i tij, është po ashtu një figurë udhëheqëse.

"Vitet e fundit është bërë grupi më i madh, të paktën në qytetin e Durrësit për trafikun e kokainës dhe heroinës dhe më pas për vrasje". Kështu, Dumani ka përshkruar për hetuesit edhe rolin dhe figurën e Xhevdet Troplinit në botën e krimit, për të cilin thotë se grupi i tij është një ndër më të fuqishmit. 

Dumani: “Nuk e di mbiemrin e tij, por e njoh me emrin VISI. E njoh prej vitesh, që kur isha i vogël, rreth 16-17 vjeç.”
Hetuesi: Çfarë di për këtë Visi, çfarë bënte?
Dumani: “Visi është një negociator shumë i mirë.”
Hetuesi: Negociator i çfarë?
Dumani: “Fillimisht për trafikun e heroinës.”
Hetuesi: Në cilin vit?
Dumani: “Flasim për vitet 2010 deri më 2013, ishin më të fuqishmit.”
Hetuesi: Gjithmonë për heroinë?
Dumani: “Për heroinën.”
Hetuesi: Në cilën periudhë?
Dumani: “2010 – 2013.”
Hetuesi: A bënte pjesë në një grup?
Dumani: “Një grup shumë i madh. Është grupi i Xhevdet TROPLINIT.”
Hetuesi: Shpjego lidhjen që ka me Xhevdetin.
Dumani: “Grupi i Xhevdet TROPLINIT, vitet e fundit, është bërë grupi më i madh, të paktën në qytetin e Durrësit.”
Hetuesi: Për çfarë?
Dumani: “Për trafikun e kokainës dhe heroinës, pastaj për vrasje. Jo vrasje me pagesë.”

Hetuesit italian e pyesin Dumani më në detaje për Visin e Pojës. Përgjigjet e tij janë interesante, duke e nxjerr atë numrin 2 të grupit, pas xhaxhait të tij, Xhevdet Troplini.

Hetuesi: A bën pjesë në grupin e Troplinit?
Dumani: Po. Është numri dy.
Hetuesi: Si e quajnë, Visi?
Dumani: Po, Visi. Miri më thoshte: duhet të flas me kushëririn tim. Duhet të shkoj të takoj Visin.

Dumani tregon agresivitetin e grupit të Xhevdet Troplinit, i cili kishte arritur të krijonte sipas tij degëzime të forta në vende të ndryshme europiane, e deri në Amerikën Latine.

“Ka hyrë në tregti në mënyrë shumë të fuqishme që nga viti 2010, tani ata kontrollojnë gjithë Durrësin, Në Gjermani, Itali. Në Hamburg thuajse kanë pushtuar gjithë qytetin. Po flas për trafikun e kokainës, në Itali kishin mundësi ta fusnin në zonën e Kalabrisë. Ajo vinte nga Kolumbia”, dëshmon Dumani.

Një tjetër fakt që tregon se sa të fuqishëm ishin bërë, Dumani rrëfen për pagesat deri në 150 mijë euro vetëm për sigurinë që paguanin Troplinët në Durrës.

Dumani: Njëherë Miri më tha që vetëm për personat që paguheshin për sigurinë, për lagjen, për familjen, ai paguante çdo muaj 150 mijë euro.
Hetuesi: Sa persona?
Dumani: Nuk mund të jap një numër të saktë sepse ishin shumë! Rroga minimale për një person që punonte për sigurinë varionte nga 500-1000 euro.
Hetuesi: Nëse paguante 150 mijë euro, të paktën 150 persona?
Dumani: Po.

Një tjetër personazh për të cilin flet i penduari Dumani është Adi Çoba, një emër tërësish i panjohur për drejtësinë, por që në këtë dosje del të ketë qenë organizatori i rrjetit të trafikut të kokainës në Itali. I njohur i “Bazholi”, sipas Dumanit, ishte bashkëpunëtor i Mirit, djalit të Xhevdet Troplinit

Hetuesi: Në rregull. Vëre firmën. Të theksohet që fotografia me numrin përkatës i përket Adi Çobës, i quajtur Bazholi, bishë, dhjamxhi.
Dumani: Tani, me emrin Bazholi po. Këtu është i njohur si Bazholi.
Hetuesi: Ky është Bazholi?
Dumani: Po. Tani po e kujtoj më qartë.
Hetuesi: Çfarë të kujtohet për Bazholin?
Dumani: Bazholi përmendej në bisedat që kam pasur me Mirin.
Hetuesi: Flisje me Mirin për Bazholin?
Dumani: Po. Miri më kishte treguar se po kërkonte një person për ta vrarë, një person nga Durrësi por që jetonte në Itali. Pseudonimi i tij ishte Çaponi.
Hetuesi: Bazholi po e kërkonte?
Dumani: Po, Bazholi po e kërkonte.

Pjesë e grupit të Adi Çobës, ishin disa persona që merreshin me sigurimin e lëndëve narkotik e transportin deri në Itali, si dhe një grup tjetër që kontrollonte shitjet me pakicë, pasi kokaina ndahej në doza të gatshme për t’u hedhur në treg. Nga hetimet e palës italiane, Adi Çoba, rezulton se i sillte në Shqipëri, paratë që grumbullonte nga trafiku i kokainës. 

Ora 16:06
Dosja e Operacionit Ura/ Dëshmia e Dumanit: Grupi i lidhur me Xhevdet Troplinin kontrollon gjithë Durrësin! Hamburgun e ‘pushtuan’ me kokainë

Xhevdet Troplini

Report Tv zbardh pjesë nga dosja italiane për operacionin ura që u shkatërrua nga autoritetet italiane dhe shqiptare. Në dëshminë e Nuredin Dumanit thuhet se grupi Poja, i lidhur me Xhevdet Troplinin është një ndër më të fuqishmit që vepronin në Shqipëri. Dumani thotë se ky grup ka hyrë fuqishëm në tregti që nga viti 2010 dhe kontrollojnë të gjithë Durrësin. Madje, sipas Dumanit Në Hamburg pothuajse kanë pushtuar gjithë qytetin.

Pjesë nga dosja

Në lidhje me kapacitetin kriminal të grupit të lidhur me Xhevdet Troplinin, i quajtur “Poja”, Nuredin Dumani tregoi se bëhej fjalë për një grup kriminal të egër, ndër më të fuqishmit që vepronin në Shqipëri, hegjemoni prej disa vitesh në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe armëve, dhe i aftë për të vepruar edhe jashtë vendit, falë degëzimeve të forta në Itali dhe Gjermani, si dhe kontakteve në Amerikën Latine:

"Ka hyrë fuqishëm në tregti që nga viti 2010 (...) tani ata kontrollojnë të gjithë Durrësin! (...) Në Gjermani, Itali. Në Hamburg pothuajse kanë pushtuar gjithë qytetin (...) Po flas për trafikun e kokainës (...) në Itali kishin mundësi ta fusnin në zonën e Kalabrisë. Ajo vinte nga Kolumbia."

P.M. DOKTOR CARDINALI: Pra Visi është numri 2, Poja është numri 1. Pastaj the që edhe Miri bën pjesë.

NUREDIN DUMANI: "Po. Këta janë tre personat më të rëndësishëm të grupit."

P.M. DOKTOR CARDINALI: The që ishte një grup që kishte armë.

NUREDIN DUMANI: "Në sasi të mëdha!"

P.M. DOKTOR CARDINALI: Është një grup që operonte... që prej sa kohësh funksiononte?

NUREDIN DUMANI: "Ka hyrë fuqishëm në tregti nga viti 2010 e tutje. E kam fjalën që u bënë të fortë atëherë, sepse kishin punuar edhe më parë."

P.M. DOKTOR CARDINALI: Kishin një zonë që e kontrollonin?

NUREDIN DUMANI: "Tani po, tani ata kontrollojnë të gjithë Durrësin! Më përpara jo."

P.M. DOKTOR CARDINALI: Sa persona kishte ky grup?

NUREDIN DUMANI: "Njëherë Miri më tha që vetëm për personat që paguheshin për sigurinë, për lagjen, për familjen, ai paguante çdo muaj 150 mijë euro."

P.M. DOKTOR CARDINALI: Sa persona?

NUREDIN DUMANI: "Nuk mund të jap një numër të saktë sepse ishin shumë! Rroga minimale për një person që punonte për sigurinë varionte nga 500 deri në 1000 euro."

P.M. DOKTOR CARDINALI: Nëse paguante 150 mijë euro, të paktën 150 persona?

NUREDIN DUMANI: "Po."

P.M. DOKTOR CARDINALI: Këta ishin ata që qëndronin në Durrës. Kishte të tjerë jashtë Durrësit?

NUREDIN DUMANI: "Dëgjo, këta që paguheshin ishin ata që nuk i duheshin për gjëra të tjera. Ndërsa ata që ishin jashtë Durrësit ishin ortakët në tregti. Këta u rritën shumë në periudhën kur presidenti ishte një person i korruptuar. Që ishte këtu në Shqipëri dhe që edhe sot është në qarkullim."

P.M. DOKTOR CARDINALI: Po jashtë Shqipërisë, kishte njerëz të tjerë?

NUREDIN DUMANI: "Shumë."

P.M. DOKTOR CARDINALI: Në Europë?

NUREDIN DUMANI: "Në Gjermani, Itali. Në Hamburg pothuajse kanë pushtuar gjithë qytetin, sepse edhe unë kisha ndërtuar punën time atje. Po flas për trafikun e kokainës. Ata arrinin të dominonin tregun përmes çmimit të ulët të kokainës."

P.M. DOKTOR CARDINALI: Por a e kanë rrëzuar konkurrencën edhe me forcë?

NUREDIN DUMANI: "Jo, ata nuk e kanë forcën. Jo."

Oficer P.G GJONI: Pyet nëse e kanë përdorur ndonjëherë?

NUREDIN DUMANI: Nuk e ka përdorur forcën. Me mua nuk kishte shans, por them me të tjerët – nuk kam dëgjuar ndonjëherë. Nuk kishte nevojë për forcë, sepse ai e ulte çmimin dhe futej në treg."

P.M. DOKTOR CARDINALI: Kjo në Gjermani dhe në Hamburg. Pastaj the që kishte njerëz edhe në Itali.

NUREDIN DUMANI: Po, më tregoi se në Itali kishte mundësi ta fuste drogën në zonën e Kalabrisë. Ajo vinte nga Kolumbia dhe shkarkohej atje.

Ora 14:18
Detaje nga operacioni 'Ura'/ Zbardhen pseudonimet që përdornin anëtarët e grupeve kriminale, nga 'Bisha', 'Gjyshja' deri tek 'Seriali'

1747830249_90001747827733x1jpg8741.jpg
Në dosjen hetimore të Antimafies Italiane, përmenden emrat e personave të  përshirë në këtë aktivitet kriminal.

Në dosje shihen dhe pseudonimet që ata përdonin për të mos u identifikuar nga autoritetet.

Bie në sy pseudonimi i një shtetaseje italiane me emrin Francesca Caputti njihej me pseudonimin “Gjyshja”.

Një tjetër, Adi Çoba njihej nga anëtarët e tjerë të bandës me pseudonimin “Bisha”, ose “i shëndoshi”.

Ndërsa Nuredin Kipitiu njihej me pseudonimin “Nuro”. Rigels Presi, njihej ndryshe nga anëtarët e bandës me pseudonimet Gelsi ose “Seriali”.

  1. ALIU Gertin ("Gerti") – Lindur më 04.08.1981 në Durrës (Shqipëri), banues në të njëjtin vend.

  2. СОВА Adi ("Bazholi", "Bisha", "I shëndoshi", "Cigani") – Lindur më 07.08.1991 në Durrës, banues në të njëjtin vend.

  3. DETI Ervis ("Visi", "Po Po") – Lindur më 31.03.1985 në Shqipëri, banues në të njëjtin vend.

  4. GANAJ Agron ("Goni", "Marko", "Jubi") – Lindur më 29.04.1982 në Durrës, banues në Mola di Bari, via Giuseppe Garibaldi.

  5. KIPTIU Nuredin ("Nuro", "Pacurri", "Cigani", "I ziu", "I zi", "Dino") – Lindur më 05.09.1979 në Durrës, banues në Bari.

  6. LESKAJ Arsen – Lindur më 11.01.1984 në Shqipëri, banues në të njëjtin vend.

  7. PRESI Erigels ("Gelsi", "Enriko", "Seriali", "Mikel/Miki/Miçè") – Lindur më 28.09.1988 në Durrës, banues në Bari.

  8. SHAKAJ Leonard ("Nardi") – Lindur më 21.11.1978 në Shqipëri.

  9. TELOLLARI Genci ("Xhaxhai") – Lindur më 02.12.1977 në Prrenjas (Shqipëri), adresë e paplotësuar.

  10. DOCI Elvis ("Visi i Pojës") – Lindur më 15.10.1978 në Durrës.

  11. NDERJAKU Ekil ("Kili", alias "Genti") – Lindur më 05.10.1983 në Shqipëri.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Operacioni Ura, si e vlerësoni punën e SPAK ndaj grupeve kriminale?