PD deklaroi ndërprerjen e marrëdhënieve me PS! Peleshi: Ne ecim para, skenarët e dhunës e bojkotit, të pasuksesshme! Burgosjen e Salianjit e vendosi drejtësia

30 Shtator, 11:51| Përditesimi: 30 Shtator, 16:25

  • Share

Tirane- Partia Socialiste do të vijojë aktivitetin e saj parlamentar sic është parashikuar në rregullore duke lënë opozitën të vijojë me aksionin e saj politik që paralajmëroi Gazment Bardhi pas burgosjes së kolegut Ervin Salianji.

Për Peleshin një aksion i tillë do të thotë një skenar i dështuar siç e ka vërtetuar dhe koha dhe i bën thirrje opozitës që të reflektojë. 

“Ne do të kemi vetëm një linjë të zbatojmë detyrimet kushtetuese, të zbatojmë detyrimet ndaj mandatit që na ka dhënë sovrani, që do të thotë të marrim pjesë komisionet parlamentare dhe në seancë. Unë shpresoj që mos të shkojmë në skenar që janë provuar dhe më parë të pasuksesshëm si forcë politike. E kam fjalën këtu për bojkotin apo bllokime të natyrës së dhunshme por nuk do të aludoj. Shpresoj që mos të ndodh kjo, ne do të vazhdojmë punën tonë" tha Peleshi për gazetarët sot në mesditë pas mbledhjes së grupit të PS-së në kryesinë e Kuvendit.

Peleshi komentoi dhe aksionin e deklaruar nga PD pikërisht në ditën (27 shtator 2024) kur Ervin Salianji u burgos për të kryer dënimin me 1 vit burg dhënë nga Gjykata e Apelit për akuzën e 'kallëzimit të rremë' për dosjen Babale. Në këtë mbledhje të grupit ku Bardhi tha se i kishin propozuar Salianjit që të ngujohej në seli dhe të mos dorëzohej për të vuajtur dënimin, por ai kishte refuzuar,  kreu i grupit parlamentar të PD-së njoftoi ndërprerjen e çdo marrëdhënieje institucionale me Kuvendin dhe mazhorancën.

"Nuk e kemi kuptuar mirë vendimarrjen e opozitës, unë nuk e di se çdo të thotë ndërprerje e marrëdhënieve institucionale me mazhorancën. Shpresoj të mos përkthehet si bojkot, nuk është përmendur kjo fjalë. Bllokim gjithashtu nuk e di çfarë do të thotë. Ne na qëndron mbi krye procedura, rregullorja që ne dhe opozita duhet t’i zbatojë. Ne do zbatojmë ligjin" shtoi Peleshi.

A po parashikohet dhe skenari i mbledhjeve të komisioneve online? 

"Nuk kemi pse të paragjykojmë. Komisioni i Cështjeve për Europën u bë fizikisht" shtoi Peleshi.

Kreu i grupit PS-së nuk pranoi të komentonte dënimin dhe burgosjen e Ervin Salianjit.

"E kemi bërë tani për kulturë politike të mos komentojmë zhvillimet e organeve të drejtësisë. Nuk e kam bërë këtë as kur ndonjë koleg i yni ka patur apo ka një cështje të hapur. Kështu që mos më kërkoni të komentoj një vendim të formës së prerë. Nuk mund të jem unë as qeveria mbi organet e drejtësisë. Për këtë ditë kemi punuar të gjithë bashkë' tha Peleshi.

Deputeti i PD-së Ervin Salianji ndodhet në burg prej 27 shtatorit 2024, një ditë pasi Gjykata e Apelit konfirmoi dënimin me 1 vit burg për kallëzim të rremë dhënë nga Gjykata e Tiranës më 2019.   

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?