Opozita dhe qeveria të ndara edhe në ditën e Pavarësisë, Galdini: Duhet një protokoll që i detyron të bashkëpunojnë! Muça: Basha kompleksohet nga Berisha

28 Nëntor 2023, 22:08| Përditesimi: 28 Nëntor 2023, 22:58

  • Share

Festimet për 111 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë bashkuan sot kryeministrin Edi Rama me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin të cilët u bënë bashkë në Vlorë për t’u përulur para flamurit kuqezi. Por nuk pati prani të deputetëve apo përfaqësuesve të opozitës në këtë organizim në Vlorë.

Lidhur me këtë fakt, në studion e Repolitix me gazetarin Denis Minga, kryetari i Lëvizjes së Re Arian Galdini tha se në këtë rast politikanët tregohen të vegjël dhe shtoi se duhet të ketë një protokoll që t’i detyrojë bashkëpunimin mes qeverisë dhe opozitës në organizime të tilla.

“Në festa të tilla ne duhet të gjejmë fuqinë që në protokollin e shtetit të imponojmë strukturë bashkëpunimit mes liderve. Ne tregohemi të vegjël në këto festa, sepse e përjashtojmë palën tjetër, nuk e duam. U paraqesim shqiptarëve ndarjen, ku njëri me të gjitha atë që quhet aeureola e shtetit tregon me gardën sesa i fuqishëm është dhe pala tjetër tregon sesa e ndarë është gjithashtu. Të dyja palët për mua janë gabim”- u shpreh Galdini.

Nga ana tjetër, avokati Idajet Beqiri i konsideroi madhështore të gjithë aktivitetet e organizuara në Tiranë dhe Vlorë.

Ndërsa gazetari, Flogert Muça duke folur për deklaratat e ashpra të Berishës edhe në këtë ditë feste, tha se ish-kryeministri duhet të shpallet non-grata nga shqiptarët në ceremoni të tilla.

“Ai duhet shpallur non-grata nga Shqiptarët edhe atje tek flamuri ku shkon të përulet. Ai djeg tempullin e demokracisë”- tha gazetari.

Sa i takon homazheve të Lulzim Bashës në kullën e Isa Boletinit, Muça tha se kryetari i PD kompleksohet nga fjalët e Berishës i cili e akuzon se i shërben Ramës nëse paraqitet në të njëjtin vend me të. 

“Nuk e di se kush e këshillon Bashën. Ka një problem, kompleksimi që ka nga çdo fjalë e doktorit. Nga frika se mos akuzohet se është i Ramës, bën pseudongjarje duke shkuar atje. Basha nuk mund të japë kurrë idenë e bashkuesit”- shtoi ai.

Për analistin Redi Varakun, homazhet e Bashës sot, ishin një strategji e këtij të fundit dhe jo kompleksim nga Berisha.

Pjesë e diskutimit në studio ishin edhe hetimet që SPAK ka nisur ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë. Avokati Idajet Beqiri tha se nëse do të bëhen hetime për korrupsionin dhe pastrimin e parave në vend, minimumi mund të vihen nën hetim 10 mijë persona. Ndërsa theksoi se qindra persona rreth Metës dhe Berishës mund të merren në hetim nga SPAK. 

Ora 22:18
‘Disa nuk do e hanë vitin e ri në shtëpi’, avokati Beqiri: Qindra njerëz rreth Metës dhe Berishës do bien në rrjetën e SPAK

 

Avokati Idajet Beqiri ka bërë një deklaratë të fortë mbrëmjen e sotme në ‘Repolitix’ në Report Tv. Duke iu referuar pastrimit të parave dhe korrupsionit në vend ndër vite, avokati tha se në rrjetën e SPAK mund të bien mijëra persona që kanë abuzuar.  

Sipas tij, kjo situatë është krijuar si pasojë e bashkëpunimit mes Metës dhe Berishës dhe theksoi se me qindra persona rreth tyre, do jenë në rrjetën e prokurorisë së Posaçme.

“Disa nuk do ta hajnë vitin e ri në shtëpi. Do na cojnë në fazë tjetër ku do i ndryshojë faqja vendit. Në rrjetën e këtij krimi të SPAK-ut do bien minimumi për pastrim të parave dhe korrupsion pasiv 10 mijë shqiptarë.  Këtë e kanë krijuar këta 2 figura, Sali Berisha dhe Ilir Meta. Ka me qindra të tjerë rreth këtyre që do bien në rrjetën e SPAK. Do bien edhe njerëz të medias dhe opinionist”- tha avokati.

B.V/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 29/11/2023 03:19

    Kujto fjalet e Fishtes te madh,perpara se te mbledhesh /me detyrim/ pozite e opozite! Jemi kokeforte e te pakorigjueshem!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?