Protesta e Rithemelimit para bashkisë

Opozita dhe parimi 'Nga protesta vijmë, në protestë shkojmë'

11 Qershor, 11:29| Përditesimi: 11 Qershor, 11:32

  • Share

Me të njëjtin skenar, me të njëjtët njerëz dhe me të njëjtin stil. Kthimi i protestave të opozitës nuk po krijon frymë dhe nuk po motivon masën e njerëzve për të vënë në vështirësi mazhorancën dhe kryeministrin Edi Rama. Kjo ka sjellë panoramën që nga njëra anë ndodhet qeveria e konsumuar dhe e përfshirë në zullume dhe nga ana tjetër opozita që nuk frymëzon. Dhe e gjithë kjo nxjerr të favorizuar vetëm mazhorancën.

Të gjitha aludimet se Rithemelimi dhe mazhoranca kishin bërë një marrëveshje të fshehtë tashmë duken të fashitura. Pas një qetësie disa mujore, në skenën politike sërish janë kthyer protesat kundër qeverisë, ndërsa protesta ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës janë bërë mëse të zakonshme. Kjo opozitë duket sikur është kthyer përsëri te metoda e vjetër e politikës shqiptare, protestë për gjithçka që ndodh dhe që nuk ndodh, dhe nëpërmjet saj synon të mbajë gjallë shpirtin e opozitarizmit. Që protestat janë pjesa më e bukur e demokracisë kjo nuk ka vend të diskutohet. Që protestat tregojnë nervin e opozitës, as kjo nuk diskutohet. Që protestat janë të domosdoshme në një vend, mazhoranca e të cilit në vitin e 11 të qeverisjes së saj dhe është e përfshirë nga shumë zullume, edhe kjo është mëse normale. Që kjo opozitë kërkon largimin dhe dorëheqjen e kryeministrit, të kryetares së Kuvendit, të kryebashkiakut të Tiranës, të ministrave, drejtorëve edhe kjo është mëse normale. Por që ta kthesh protestën në qëllimin kryesor dhe të vetëm madje, dhe pa asnjë element tjetër ndihmës, kjo tregon se sa shumë probleme ka opozita. Por çfarë sjellin realisht këto protesta dhe a e vendosin ato në vështirësi kryeministrin Edi Rama dhe të gjithë mazhorancën? A janë këto protesta prova që ne kuptojmë se kjo opozitë do të vijë në pushtet kur të zhvillohen zgjedhjet në vitin 2025? Nëse i analizon të gjitha protestat e fundit zor të kesh mendimin se mjaftojë ato dhe përmbysja e qeverisë është e sigurtë. Përkundrazi, opozita duket sikur po mbetet peng i protestave dhe po rrotullohet rreth tyre duke krijuar njjë qerthull që e largon shumë nga vota. Është një thënie lapidare e dalë nga goja e Sabri Godos, një prej mendjeve më të mençura të së djathtës shqiptare pas vitit 1990. Sa herë që plaku i urtë ndiqte një protestë që kishte pjesëmarrje masive dhe shikonte ngazëllimin e drejtuesëve të opozitës së asaj kohe thoshte: Mos u ngusni djema, protesta nuk është proces votimi!

PROTESTA SI E VETMJA SHPRESË

Në pamje të parë duket sikur kthimi te protesta po e mban ndezur flakën e opozitarizmit dhe pikërisht protesta është një nerv kryesor për opozitën. Janë të njëjta mënyra, të njëjta metoda dhe të njëjtët njerëz madje që e organizojnë, që e drejtojnë dhe janë protagonistë në to. Por ndërsa për opozitën duket sikur ia kanë marrë dorën për ta organizuar dhe realizuar atë shumë shpejt, po ashtu edhe mazhoranca na duket sikur ia ka marrë dorën mënyrës se si e përjeton protestën e kundërshtarëve të saj. Dhe sa herë që ato mbahen por aq herë kjo mazhorancë duket sikur është imune ndaj tyre. Ajo që duket gjithnjë e më qartë është se problemi kryesor i këtyre protestave nuk është përse ato mbahen, por për mënyrën se si mbahen. Sa për arsyet, ato janë të ligjëruara. Kjo mazhorancë ka aq shumë probleme saqë mund të protestosh çdo ditë. Por nëse shikojmë se si realizohen ato, kuptojnë shumë. Elementi i parë i dallueshëm është se pjesëmarrja lë shumë për të dëshiruar. Në protestën përpara parlamentit të enjten që kaloi numri i protestuesëve ishte i tillë që çdo kush e kupton që asgjë nuk do të ndodhë pasi të përfundojë. Pra, një protestë që nuk krijon pjesëmarrje masive, rrjedhimisht nuk krijon frymë dhe motivim për të përmbytur qeverinë. Por edhe mënyra se si kryhen protestat janë mjaft domethënëse. Disa goma që digjeshin dhe të vendosur përpara sallës plenare të parlamentit dhe disa njerëz që shtynin rreshtin e policëve me një synim që vetëm ata e dinin, ishte treguesi i një qëllimi pa qëllim që kishin protestuesit. Përtej interesit për ndotje të ambjentit, djegia e gomave dhe përplasja trup me trup me policinë nuk janë kurrsesi ato që sjellin vendosjen në vështirësi të mazhorancës. Atëherë çfarë sjell kjo protestë? Thjesht ajo ishte për statistikë dhe kaq. Shkojmë te protesta më e shpeshtë që është mbajtur këtyre kohëve të fundit. Pothuajse çdo javë, të martë dhe të premteve, ato janë stacionuar përpara bashkisë së Tiranës me qëllimin për të larguar prej andej kryebashkiakun Erion Veliaj. I gjithë opinioni ka ndjekur me kujdes pothuajse të njëjtin skenar. Disa fjalime të mbajtur në një pod të improvizuar, në të cilat çdokush flet dhe akuzon, kritikon kryebashkiakun. Më pas disa këshilltarë që i turren gardhit të policisë. Në të njëjtën kohë hidhen disa shishe me benzinë me flakë me emrin e “Koktejl Molotov” përpara derës së bashkisë dhe disa policë gati si prestigjatorë i largojnë ato për të mos patur ndonjë tragjedi. Dhe e gjithë kjo “betejë” që transmetohet live nëpër ekrane televizive dhe rrjetet sociale zgjat 2 deri në 3 orë. Edhe këtu pjesëmarrja është shumë e ulët. Në rastin më të mirë numri i protestuesve nuk i kalon 100-200 vetë. Po si mund të largohet një kryebashkiak nga një protestë e tillë? Elementi tjetër është dhuna. Në cilin rast përplasja me policinë dhe hedhja e molotovëve ka sjellë vështirësi për mazhorancën? Madje duhet thënë se përfaqësues të mazhorancës, sa herë në protestë shfaqet dhuna, shprehen se kjo është fitore për ata. Dhe në një farë mënyre kanë të drejtë. Atje ku ka dhunë, nuk ka protestë masive. Atje ku ka dhunë, ndërkombëtarët nuk e mbështesin opozitën dhe dhuna nuk e sjell kurrë në pushtet atë. Pas zbatimit të këtij skenari gjithçka mbyllet dhe protestuesit largohen duke lajmëruar ditën dhe orën e protestës tjetër. Dhe po ditën tjetër përsëritet e njëjta gjë. Nuk ka befasi, nuk ka surpriza, nuk ka habi. Janë të njëjtët elementë, të njëjtët njerëz edhe e njëjta situatë dhe e njëjta pasojë: Mazhoranca nuk vihet në vështirësi. Dhe gjithnjë e më shumë kjo opozitë i largohet qëllimit final për të larguar Edi Ramën dhe këtë mazhorancë. Në këto situata protesta duket si një ritual pa ndonjë efekt. Ajo nuk krijon frymë, nuk motivon dhe nuk shton pjesëmarrje në opozitarizëm. Ato janë kthyer thjesht në pronë të disa individëve që për hir të vërtetës duhen vlerësuar për guximin dhe kurajon. Por, thjesht ata mbeten opozitarë të paepur por impenjimi dhe guximi që ata tregojnë nuk janë të mjaftueshëm. Çdokush mund të bëjë një listë të gjatë të personazheve opozitarë që mungojnë nëpër protesta. Ata kanë kohë që i bëjnë bisht edhe opozitarizmit madje. Nuk e dimë ende përse e marrin rrogën një takëm deputetësh të opozitës që duken më shumë janë të merakosur se mund të ndotin kostumet apo fustanet, apo u shpupurisen flokët e modeluara, se sa për fuqinë e opozitës. Ata nuk protestojnë, ata nuk janë pjesë të aksioneve të opozitës dhe mbajnë një profil gati si të ishin mbi palët, ose si analistë politikë. Dhe për të justifikuar këtë mungesë mbajnë ndonjë fjalim mediokër në parlament që e dinë që transmetohet live, apo japin ndonjë intervistë disa minutëshe sa për të thënë përpara ndonjë gazetari që as i pyet dhe ata nuk thonë gjë.

PASOJAT E NJË PROTESTE PA PJESËMARRJE MASIVE

Mungesa e pjesëmarrjes në protesta është elementi më i dukshëm dhe më i debatueshëm. Një tjetër mungesë në duket se janë strukturat e partisë demokratike të Rithemelimit. Mungojnë krerët e degëve dhe minidegëve të Tiranës. Mungojnë figurat që kjo parti i quan kryesore dhe mungojnë edhe ata që e mbajnë veten opozitarë të thekur. Kjo që po ndodh me protesta ka vetëm një panoramë që i ngjan titullit të një romani të njohur që ia vlen ta huazojmë “Nga protesta vijmë në protestë shkojmë”. Por që është e pamjaftueshme për të vënë këtë mazhorancë në vështirësi. Ato janë tregues e se në grupimin “Rithemelimi” mungon fryma, mungon motivimi dhe mungon cilësia opozitare. Tashmë ky grupim është kthyer në një parti pothuajse me të njëjtin stil dhe formë si në kohën kur këtë parti drejtonte Lulzim Basha. Rithemelimi ka krijuar portretin e një partie që mjaftohet duke treguar sa i keq dhe i korruptuar është Edi Rama dhe vetëm kaq. Por nuk na tregon se PD është një alternativë e besueshme. Dhe në vend që ta shikojnë gabimin te vetja e shikojnë të ata që e kritikojnë duke i quajtur si njerëz që mbështesin qeverinë. Ndodhur në këtë situatë protesta vërtetë janë një element që tregon se vendi ka opozitë, por janë në të njëjtën kohë një tregues se kjo opozitë nuk frymëzon dhe nuk motivon. Në këtë situatë Shqipëria politike do të vijojë të ketë të njëjtën panoramë: Nga njëra anë qeveria dhe mazhoranca e zhytur në skandale edhe probleme nga më të ndryshme dhe nga ana tjetër opozita që nuk arrin as ta ndezë dhe as të frymëzojë popullin. Dhe sigurisht, fituesi i kësaj panorame është vetëm mazhoranca socialiste. Ajo shkon në zgjedhjet e vitit 2025 me synimin për të marrë një mandat të katërt me të vetmin avantazh, situata që ndodhet opozita./ Fjala

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?