Në një kohë kur në Kuvend u krijua një kaos për mungesën e kryeministrit Edi Rama, të cilin opozita e kërkonte për të shpjeguar lidhjen me ish-zyrtarin e FBI, Rama ka zgjedhur t’iu përgjigjet me arritjet e qeverisë së tij.
Në një postim në Facebook, Rama dha disa shifra për infermierët e punësuar në sistemin shëndetësor publik gjatë vitit të kaluar, duke vënë në dukje se pjesë e spitaleve janë bërë 474 infermierë të rinj, nga 900 gjithsej në të gjithë sistemin shëndetësor publik.
"474 infermierë janë punësuar në spitalet tona nga veriu në jug, pjesë e ekipit prej rreth 900 infermierësh të punësuar në sistemin shëndetësor publik vetëm gjatë vitit 2022", shkruan Rama.
Pas përfundimit të seancës plenare, Rama bëri një tjetër postim lidhur me ujësjellësin e ri të Belshit.
“Jo vetëm do të përmirësojë cilësinë e furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët, por do të furnizohet me energji elektrike përmes paneleve fotovoltaike duke ulur në këtë mënyrë me 95% kostot e energjisë. Ky model është një shembull që do ta aplikojmë edhe në zona të tjera”, shkruajti Rama.
Për mungesën e kryeministrit Rama u përgjigj kreu i Grupit të PS, Taulant Balla, i cili u tha gazetarëve se ai kishte një axhendë të ngjeshur dhe nuk mori pjesë dot në seancë.
Lajmi kryesor:
VIDEO/ Kaos në Kuvend, Berisha bllokon foltoren: Të flasim për skandalin në SHBA! Balla: Do të heqë vëmendjen nga Shkëlzeni në SPAK! Alibeaj: Kërkojmë shkarkimin e Nikollës
SI.E./ReportTv.al