Duke e konsideruar një skandal të përmasave të mëdha, zbulimin e një ditë më parë të abuzimit të disa mjekëve të Onkologjikut me shërbimin ndaj pacientëve, Partia Demokratike depozitoi me urgjencë dy kërkesa për interpelancë me ministren e Shëndetësisë Albana Koçiu.
Kreu i Grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi tha se ministrja nuk mund të mjaftohet me dënimin e mjekëve por duhet të mbajë përgjegjësi.
“Grupi ka miratuar kërkesën për një interpelancë me ministren Koçiu, në seancën e ardhshme, për t’iu përgjigjur papërgjegjshmërinë që ka udhëhequr ministrin në trajtimin e këtij problemi. Skandali nuk është rast i veçuar, por një skemë e plotë e iniciuar nga drejtuesit politikë në Shëndetësi. Ministri ka pasur në dorë raportet e KLSH, ku nuk është marrë asnjë masë. Ka pasur denoncime nga opozita dhe gazetarë e ka pasur zero veprime nga MSH”, tha Gazmend Bardhi.
Kërkesa e dytë u bë nga deputeti Arbi Agalliu që kërkon që ministrja të qartësojë menjëherë arsyet se pse nuk ka funksionuar sistemi i mbrojtjes së pacientëve dhe pse kjo skemë korruptive është e shtrirë në kohë.
Më herët në një deklaratë për mediat, edhe kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë Zheni Gjergji paralajmëroi se skandali te Onkologjiku nuk është rast i izoluar ndërsa drejtësia duhet të shkojë deri te kryeministri Edi Rama.