Salla e Komisionit të Ligjeve u mbush sërish, pas 2 muajve ndërprerje për efekt të fushatës dhe zgjedhjeve të 11 majit. Pjesa dërrmuese e deputetëve prezentë, nuk u konfirmuan me votë për parlamentin e ri.
Mes opozitarëve, munguan ata që rifituan mandatin, si Oerd Bylykbashi, Gazment Bardhi, e aleati Fatmir Mediu por jo kandidatë si Asllan Dogjani i cili humbi më 11 maj.
Enkelejd Alibeaj që po ashtu dështoi të garantonte një biletë për parlamentin e ri, numëroi kolegët në sallë që nuk ja dolën më 11 maj e kërkoi që të mos merren vendime.
“Demokracia ka marrë fund, në Shqipëri është instaluar diktatura. Populli foli, por më shumë foli krimi”, tha Asllan Dogjani.
“10 veta në këtë tavolinë, nuk e kemi më përfaqësimin nga sovrani për të folu, diskutuat e votuar. Por me miratim pr.ligjesh kjo do të ishte ndoshta në tejkalim të Kushtetutës”, u shpreh Enkelejd Alibeaj.
“Janë çështje që kanë një lloj urgjence dhe ne nuk mund ta mbyllim veprimtarinë”, tha Klotilda Bushka.
Komisioni i Ligjeve miratoi një kalendar për raportimin e institucioneve të pavarura, duke ftuar Altin Dumanin në dëgjesë më 24 qershor për raportin vjetor të SPAK.
Në komisionet e tjera, opozita shfaqi fytyra të ndryshme. Tek Komisioni i Edukimit, drejtuesja Ina Zhupa që do të jetë deputete sërish në shtator, u fokusua tek keqqeverisja.
“Ministria e Arsimit ka përgjegjësi për ngjarjen e Gramshit. Duhet të kërkojmë përgjegjësi siç na takon, sepse jemi këtu për të garantuar më të mirën, sidomos në interes të fëmijëve, dhe jo për t’i bërë fresk pushtetit që rritet në mënyrë jo proporcionale dhe jo logjike”, tha Zhupa.
“Desha të bashkohem me ju për shqetësimin në ngjarjen e Gramshit. Padyshim që është një ngjarje e rëndë që të gjithëve na shqetëson, sepse shëndeti i fëmijëve tanë është parësor. Mendoj se duhet të marrim informacion të plotë mbi ngjarjen”, theksoi Evis Kushi.
Tek Shëndetësia, një tjetër komision që drejton opozita, Zheni Gjergji që nuk do të jetë 4-vjecarin e ardhshëm, u fokusua tek ajo që demokratët e quajnë farsë zgjedhore.
"Përdorët çdo mjet që nga patronazhisti, blerja e votës, krimi i organizuar, në vend se të garantonit një proces të ndershëm", u shpreh Zheni Gjergji.
Megjithë pretendimet për masakër zgjedhore sipas tyre, opozita nuk bllokoi asnjë punim parlamentar dhe nuk shkaktoi asnjë anomali.
Komente
