Ermonela Felaj

Politikë

 ‘Tahiri’, PS: Të dëshmojnë Berisha, Basha, Balili, Arbër Çekaj/ Lista

4 Prill 2018, 12:56| Përditesimi: 4 Prill 2018, 14:31

  • Share

Teksa deputetët e opozitës ndodhen në Gjykatën e Tiranës, duke ndjekur seancën maratonë për 23 protestuesit e arrestuar në Rrugën e Kombit, mazhoranca ka vendosur të mbledhë Komisionin hetimor për çështjen e ish-ministrit Tahiri.

Ky komision është thirrur nga opozita dhe drejtohet nga Edi Paloka, i cili sot nuk është i pranishëm, së bashku me deputetët e tjerë. Komisioni i sotëm është thirrur nga mazhoranca, vetëm pak minuta para se të niste, ndërsa të pranishëm janë vetëm deputetët e majtë.  
Deputetja Ermonela Felaj ka përmendur disa nga çështjet më të bujshme në vend, për të cilat PS do t’i drejtohet Shërbimit Informativ Shtetëror për të kërkuar informacion lidhur me trafikun e drogës.

Felaj tha se do të kërkohet informacion nga SHISH për ish-kryeministrin Sali Berisha, Klement Balilin, Arbër Çekajn, pronarin e kompanisë që solli 613 kg kokainë nga Kolumbia.

"Do mbledhim të dhëna që lidhen me gjenden e funksionimit të radarëve më 2013. Do verifikohet gjitha puna e Prokurorisë, pasi Kuvendi i vuri në dispozicion raportin. Do sqarojmë rrethanat si është arrestuar Dritan Zagani, në cilën fazë është procedimi në ngarkim të tij.

Arbër Çekaj, do kërkojmë informacion për veprimtarinë e tij. Rasti Balili, kush janë pronat e zotëruara prej tij, kontratat e qerasë, koncensionare, sa grante janë të fituara nga Balilajt nga ministria e Bujqësisë.

Do ndjekim dhe rastin e ish-ministrit Tahiri, cilat kanë qenë qëndrimet e Prokurorisë, si i ka ndjekur këto dy raste. Do kërkojmë nga SHISH për trafikun e drogës, informacionet që i janë referuar në rrugë të ndryshme Presidentit, ministrave dhe si është konkluduar me këto informacione.

Do kërkojmë të dhëna për rastet e Lazaratit dhe Dukagjinit, nëse janë identifikuar autorët që kanë qëlluar ndaj policisë. Kërkesat për ekstradim të shtetasve shqiptarë nga 2005-2018, urdhër-arreste nga Interpol për shqiptarët e përfshirë në aktivitet kriminal dhe sa janë ekzekutuar këto urdhra.  

Një e dhënë tjetër e rëndësishme është ajo që lidhet me deklaratën e Berishës për Lazaratin, si dhe dëshmia e Izet Haxhisë për djalin e Berishës. Trafikimi i heroinës dhe kokainës, sasia që është kapur dhe grupet që janë goditur. Do të na duhet dhe një dëshmi nga ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha"

Ermonela Felaj, anëtare e PS në komisionin 'Tahiri'

 

Ora 14:26
Mbledhja e komisionit 'Tahiri' nga PS, Paloka: Skandal i Ramës, ja qëllimi

Kryetari i Komisionit hetimor për çështjen ‘Tahiri’, Edi Paloka i PD, ka reaguar menjëherë pas mbledhjes së komisionit nga mazhoranca, pa praninë  e opozitës, e cila ishte në gjykatë duke pritur masën e sigurisë për protestuesit e Rrugës së Kombit.

Paloka e cilëson thirrjen e komisionit nga mazhoranca një tjetër skandal të kryeministrit Edi Rama.

"Një tjetër skandal i Ramës me zbatimin e ligjit. Urdhëron deputetët e tij të Komisionit Hetimor Tahiri, të uzurpojnë drejtimin e komisionit duke shkelur haptazi ligjin për Komisionet Hetimore dhe Rregulloren e miratuar vetëm një javë më parë nga ky Komision.

Neni 12 i ligjit ”Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, thotë: Pika1. Mbledhjet thirren dhe drejtohen nga kryetari dhe/ ose me autorizimin e tij nga zv/Kryetari.

E njëjta është përcaktuar edhe në nenin 7 të rregullores. Pika1: Mbledhjet thirren dhe drejtohen nga kryetari dhe/ ose me autorizimin e tij në çdo rast nga zv/kryetari i Komisionit.

Data, ora dhe vendi i mbledhjes së Komisionit, caktohen nga kryetari, pasi këshillohet me zv/Kryetarin.

Si kryetar i Komisionit Hetimor “Tahiri”, informoj gjithë opinionin, se sot jo vetëm nuk e kam thirrur komisionin hetimor siç përcaktohet nga ligji, por pas interesimit të administratës të Kuvendit dhe të komisionit i kam njoftuar se sot nuk do të ketë mbledhje të Komisionit Hetimor.

Pra, mbledhja e këtij komisioni nga deputetët e Ramës, pa autorizimin e kryetarit, është një shkelje e hapur e ligjit nr. 8891, datë 2.05.2002, për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit.

Rama pasi privatizoi shtetin, prokurorinë dhe gjykatat, tani po kërkoj të privatizojë edhe parlamentin shqoptar duke u dhënë urdhër deputeteve të tij, që duke shkelur ligjin të uzurpojnë drejtimin e një komisioni hetimor që është kërkuar nga opozita, për të vërtetuar lidhjet kriminale të kësaj qeverie dhe të vetë kryeministrit rama me kultivimin dhe trafikun e drogës.

Ky akt skandaloz bëhet me qëllimin e vetëm që të tërheqë vëmendjen e opinionit nga një tjetër dhunim i rëndë.

Sot dhjetëra qytetarë shqiptarë të dhunuar nga policia e Ramës dhe prokuroria e privatizuar prej tij, po kërkohet të dënohen vetëm sepse kanë mbrojtur një të drejtë elementare të tyre. Pikërisht për të tërhequr vëmendjen Rama ka urdhëruar shkeljen e ligjit në Komisionin Hetimor"

Edi Paloka, deputeti i PD

Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?