Reagimet/ Opozita në Kosovë kundërshton marrëveshjen e Washingtonit...Bashkimi Europian i përmbajtur në deklarime

5 Shtator 2020, 11:41| Përditesimi: 5 Shtator 2020, 14:08

  • Share

Dy partitë opozitare lëvizja Vetëvendosja dhe Partia Demokratike e Kosovës nuk e duartrokitën marrëveshjen. Përkundrazi. Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha se “kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe delegacioni i tij i paligjshëm i sollën Kosovës dëmet e radhës”. “E quajtën ‘Marrëveshje historike për njohje’ ndërsa hoqën dorë nga pavarësia e Kosovës e na sollën marrëveshje të dëmshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën. Me marrëveshjen e arritur, Liqeni i Ujmanit është ndarë dhe se Kosova ka hequr dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare. Marrëveshjet e dëmshme nuk mund të jetësohen”, shkroi Haxhiu.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës, PDK, marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet liderëve të Kosovës dhe të Serbisë, e ka cilësuar si shans të humbur nga delegacioni kosovar, për marrëveshje finale të njohjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. “Çdo marrëveshje e nënshkruar në këtë mënyrë, pa transparencë, që nuk ka njohje të ndërsjellë, krijon shqetësim dhe pasiguri. Aq më tepër, deri në këtë moment, nuk është bërë publike përmbajtja e marrëveshjes”, thuhet në një komunikatë të PD.

Kryetarja e Kuvendit të Kosoves, Vjosa Osmani, ka thënë se delegacioni i Kosovës në Uashington, nuk arriti t’i sjellë vendit pikërisht ato që i premtoi qytetarëve dhe Kuvendit qe një kohë të gjatë.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani numëroi çështjet si, arritja e njohjes së ndërsjellë me Serbinë, mosnegociimin e Liqenit të Ujmanit, mospranimin e Mini-Schengenit, të pagjeturit, si dhe pika të tjera.

Bashkimi Evropian i përmbajtur ndaj marrëveshjes

Me komente të matura për marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Serbi të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë u shprehe Bashkimi Evropian. Në reagimin e BE, thuhet se ” BE e ka në vëmendje nënshkrimin e dokumentit midis Beogradit dhe Prishtinës, në Shtëpinë e Bardhë”. “Ne mirëpresim palët në Bruksel këtë fundjavë dhe javën e ardhshme për të vazhduar punën tonë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që ka të bëjë me të gjitha çështjet e pazgjidhura në lidhje me marrëdhëniet e tyre, dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe atë të BE-së “, ka thënë Peter Stano, zëdhënës i Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme në Bashkimin Evropian, Josep Borrell.

Ora 17:40
Mustafa për marrëveshjen: Kosova përfiton nga ShBA-ja, Mini-Shengeni nuk cenon sovranitetin

Kryetari i LDK’së Isa Mustafa nënshkrimin e marrëveshjes për normalizim ekonomik nga Kosova dhe Serbia e ka quajtur përfitim nga ShBA’ja. Mustafa thotë se ata që kanë pritur njohje reciproke me një takim të vetëm nuk marrin vesh në politikë.

Kurse sa i përket ‘mini-shengenit’, Mustafa tha se janë pajtuar që të punohet në lehtësim të bashkëpunimit ekonomik por kjo nuk e cënon sovranitetin shtetëror.

Mustafa shtoi se marrëveshjet ekonomike janë themel i marrëveshjes përfundimtare.

“Pritja në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti Trump dhe udhëheqja me e lartë e SHBA-s flet për mbështetjen e jashtëzakonshme procesit të dialogut që përfundon me njohje reciproke. Marrëveshjet ekonomike janë themel i marrëveshjes përfundimtare”, tha Mustafa.

Ora 17:25
Marrëveshja Kosovë-Serbi/ Grenell: Njohja reciproke do diskutohet të hënën në Bruksel

Emisari Special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka shpjeguar se nuk është diskutuar njohja reciproke në Shtëpinë e Bardhë mes Avdullah Hotit dhe Aleksander Vuçiq për arsye se kjo temë do të hapet të hënën në Bruksel.

“Palët do të takohen të hënën në Bruksel…Njohja është në axhendën që do të diskutohet të hënën në Bruksel”, ka thënë Grenell

Grenell ka thënë se temën e njohjes reciproke ua ka lënë europianëve.

“Ne po provojmë që të bashkërenditemi me europianët se çfarë mund të bëjmë ne dhe çfarë mund të bëjnë ata. Të hënën ajo temë do të diskutohet në detaje në Bruksel”, u shpreh ai

Ora 17:06
Albin Kurti për marrëveshjen: Askund nuk duket njohja reciproke Kosovë-Serbi

Ish-kryeministri Albin Kurti tha se marrëveshja e nënshkruar dje në Uashington është e dëmshme për Kosovën, përkundër Serbisë.

Ai tha se marrëveshja nuk solli as njohjen reciproke nga Serbia siç u premtua dhe nuk u përmendën shumë çështje që janë në interes të Kosovës

“Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, nuk janë mbrojtur e madje as adresuar problemet e tyre. Serbia kërkoi dalje në det, e mori, kërkoi financa i mori, kërkoi devijimin e hekurudhës Merdarja e mori, kërkoi minishengen e mori, kërkoi të hiqej pika ku mes tjerash nënkuptohej njohja e hoqi. Pra, askund s’ka njohje reciproke të premtuar.

Postimi i plotë:

Mbrëmë, në praninë e Presidentit Trump, kryeministri i paligjshëm i Kosovës dhe presidenti autokrat i Serbisë, secili, nënshkruan nga një marrëveshje me vetveten.
Nuk ka asnjë pikë që lidhet me marrëdhëniet me Serbinë në këto letra të nënshkruara që mund të cilësohet arritje nga delegacioni nga Kosova. Moratoriumi për çështjen e anëtarësimeve dhe vënia në diskutim e shfrytëzimit të Ujmanit janë dështim enorm i këtyre.
Të gjithë në rajonin tonë janë të vetëdijshëm që minishengeni ndihmon hegjemoninë e Serbisë në këtë pjesë të Evropës.

Krimet e dëmet gjatë luftës, borxhi që na e ka Serbia, u shpërfill a harrua nga delegacioni i Kosovës.
Koncensionet në planin e Ahtisaarit për manastiret dhe kishat nuk kishin pse rëndoheshin edhe më shumë në Washington DC, thua se nuk ka marrë boll Serbia.

Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, nuk janë mbrojtur e madje as adresuar problemet e tyre.
Serbia kërkoi dalje në det, e mori, kërkoi financa i mori, kërkoi devijimin e hekurudhës kah Merdarja e mori, kërkoi minishengen e mori, kërkoi të hiqej pika ku mes tjerash nënkuptohej njohja e hoqi. Pra, askund s’ka njohje reciproke të premtuar. Përkundrazi, Grenell e pranoi se ka pranuar ta heq atë.
Çfarë i solli Kosovës në raport me Serbinë ky delegacion? Dëm, turp e rrezik.
Ish presidenti amerikan Carter dikur ka thënë se asnjë marrëveshje nuk mund të jetë afatgjatë nëse nuk fitojnë të dy palët. Por, në rrafshin ndërkombëtar mes Serbisë e Kosovës, Serbia po fiton gjithçka që synoi, ndërsa Kosova asgjë.

Në rrafshin ekonomik sërish Serbia fiton më shumë, duke ju pranuar pozita e hegjemonit në rajon, kalim e tregti të lirë në Kosovë, dalje në det etj.

Izraeli duhet falënderuar, por njohj

Ora 14:09
Kadri Veseli: Delegacioni i Kosovës rrëshqiti në bisedime teknike

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, deklaroi se delegacioni i Kosovës për bisedime me Serbinë ka kaluar nga bisedimet shtetërore për finalizim të marrëveshjes, në bisedime për copëza të territoreve të cilat janë në menaxhimin e Republikës së Kosovës.

Një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes së quajtur për ”normalizim ekonomik” në Shtëpinë e Bardhë në Washington, Veseli tha se çdo bisedim duhet të ketë konceptin e një marrëveshjeje e cila është përfundimtare

”Çdo bisedim duhet të ketë konceptin e një marrëveshjeje e cila është finale, ku nuk cenohet sovraniteti, Kushtetuta dhe integriteti i Republikës së Kosovës. Është për keqardhje delegacioni i Kosovës në Uashington si ka kaluar nga bisedimet shtetërore me Serbinë, në bisedime teknike”.

”Nga bisedimet mes shteteve për finalizim, përkatësisht ulëse në OKB, në bisedime për copëza territore të cilat janë në menaxhimin e Republikës së Kosovës, edhe si resurse kombëtare ekonomike”, ka deklaruar Veseli.

Ora 14:08
Grenell-O’Brien: Marrëveshja e Washingtonit është vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, SHBA jo pjesë e saj

Marrëveshja e nënshkruar në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë është vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, Amerika nuk është pjesë e saj.

Qartësimi ka ardhur nga Richard Grenell, i emëruar i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun mes dy vendeve.

Grenel tha se Kosova dhe Serbia firmosën një marrëveshje për të punuar me njëri-tjetrin. Nuk e nënshkruan me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe presidenti Trump nënshkroi një letër që vërteton se palët do të punojnë së bashku që ta bëjnë këtë marrëveshje

Grenell shtoi se dokumenti historik me 16 pika i dakordësuar nga Kosova dhe Serbia për normalizimin e raporteve ekonomike është arritur nga zyrtarët amerikanë në kontakt të ngushtë me ata të Bashkimit Europian. Kurse këshilltari për sigurinë kombëtare, Robert O’Brien, që mori pjesë në negociatat mes kryeministrit, Avdullah Hoti, dhe presidentit, Aleksandër Vuçiç, tha se marrëveshja i hap rrugën zgjidhjes politike.

“Ideja është që ndalimi një-vjeçar i anëtarësimit të Kosovës në Organizatat ndërkombëtare dhe ndalimi që Serbia do ti bëjë fushatave për mosnjohjen e shtetit të Kosovës, do t’u japë palëve kohë për të negociuar disa nga çështjet politike” - tha Robert O’Brien

Komento

Komente

  • Niku: 05/09/2020 20:37

    Shqiptaret mund ti bejne te gjitha pervec marveshjeve dhe kompromisit prandaj jane copa -copa ne Balkan

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?