Ozgür Ozel

Bota

Opozita turke zgjedh liderin e ri pas burgosjes së Ekrem Imamoglu: Bojkotoni kompanitë e Erdoganit

6 Prill, 23:04| Përditesimi: 6 Prill, 23:07

  • Share

Partia Popullore Republikane (CHP) e Turqisë zhvilloi sot, të dielën më 6 prill, një kongres të jashtëzakonshëm në Ankara, nën hijen e arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Stambollit dhe kandidatit të partisë për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, Ekrem Imamoglu.

Kongresi konfirmoi ri-zgjedhjen e kandidatit të vetëm, Özgür Özel, në krye të partisë opozitare. Özel mori 1.171 vota nga gjithsej 1.276 delegatë të pranishëm. Po ashtu, u zhvilluan zgjedhje për të 181 anëtarët e Këshillit të Partisë.

“Sot Turqia drejtohet nga një juntë që frikësohet nga zgjedhjet, frikësohet nga kundërshtarët e saj, frikësohet nga populli. Erdoğan nuk është një president që ka mbështetje nga populli. Por ai është kthyer në një udhëheqës junte që shënjestron ata që mund ta sfidojnë,” tha Özel në fjalimin e tij.

Ai gjithashtu i bëri thirrje presidentit Erdoğan të shpallë zgjedhje të parakohshme dhe të përballet me Ekrem İmamoğlu në kutinë e votimit: “Nëse ke guxim, do ta pranosh (shtyrjen e zgjedhjeve), nëse dëshiron, mund ta bësh këtë në javën e parë të qershorit, sa më shpejt. Nëse thua ‘jo, nuk kam kohë,’ atëherë në gjysmën e mandatit tënd, më së voni deri në nëntor, do të dalësh dhe do të përballesh me kandidatin tonë.”

Ekrem İmamoğlu dërgoi një letër në kongres, ku shprehte se “ata që tentuan grushtin e shtetit kundër jetës demokratike dhe vullnetit të popullit e kanë futur vendin tonë në një krizë të thellë legjitimiteti”. Në sallën e kongresit, një vend bosh mbante emrin e kryetarit të burgosur të Bashkisë Ekrem İmamoğlu.

Kongresi i jashtëzakonshëm u shpall nga presidenti i CHP, Özgür Özel, më 21 mars, tre ditë pas arrestimit të Ekrem İmamoğlu, mes shqetësimeve të mëdha se hetimi prokurorial në proces, përveç ndaj kryetarit të bashkisë, mund të çonte në shkarkimin e drejtuesve të partisë dhe emërimin e një administratori. Për të parandaluar këtë mundësi, Özel vendosi të mbajë kongresin e jashtëzakonshëm.

Hetimi prokurorial ka të bëjë me akuzat për ryshfet ndaj delegatëve në kongresin e fundit të CHP, në nëntor 2023. Akuzat kanë marrë përmasa të gjera në aspektin ligjor dhe politik, pasi ishin mbështetur dhe nga ish-presidenti Kemal Kılıçdaroğlu, i cili në një program televiziv kërkoi shpjegime nga Özgür Özel.

Pas zgjedhjes së presidentit, u mbajt një protestë me pjesëmarrje masive përpara “Qendrës Kulturore Nazim Hikmet”, ku u zhvillua kongresi. Duke iu drejtuar turmës, Özgür Özel përsëriti thirrjen e tij për bojkot tregtar të produkteve dhe shërbimeve nga kompanitë që mbështesin qeverinë.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Produktet e kontaminuara, si e vlerësoni sigurinë ushqimore në Shqipëri?