Skulptura e Vladimir Llakajt në Galerinë e Arteve FAB në Tiranë

Opozitë me skulpturë qeverive shqiptare, 27 vjet të përmbledhura në një vepër 

20 Prill 2018, 14:35| Përditesimi: 20 Prill 2018, 14:50

  • Share

“Kjo skulpturë është opozitare ndaj të gjitha qeverive, ndaj demagogjive që kanë ushqyer këtë komb, helmimit që ata i kanë dhënë gati në themel këtij populli. Shqiptarët nuk e kanë një edukim për të kapërcyer problemet...shqiptarët ngrihen për interesat e një partie, gati vetëvriten por për interesat e familjes së tyre, të shtëpisë së tyre, të bukës së tyre, të së ardhmes së tyre nuk bëhen bashkë”.

Është ky interpretimi i artistit Vladimir Llakaj për skulpturën të titulluar Fenomeni, e cila zë hapësirën më të madhe të një prej dhomave me mure të bardha në Galerinë FAB në ekspozitën e tij “Informal”.

Skulptura e Vladimir Llakajt në galerinë FAB

Një skulpturë që të tërheq vëmendjen nga cepi i derës me thirrjen ‘Mos mi vrisni ëndrrat’. Teksa afrohesh, mund të shikosh fotot e bashkëngjitura skulpturës dhe revoltat njerëzore ndër vite që ka parë Shqipëria. “Ato foto janë zgjedhur pikërisht sepse po të vesh re, ajo është shoqëria jonë, janë të gjithë brezat pak a shumë në këto foto. Janë të gjithë të bashkuar për një qëllim, i cili është që “Shqipëria të bëhet më e mirë, për neve, për fëmijët tanë por edhe për sytë e botës. Edhe pse është një skulpturë që evokon lëvizjet politike në Shqipëri në këto 27 vite demokraci po aty ka histori më të thella, edhe nga komunizmi, madje edhe më tej dua unë që të evokojë. Esenca e saj është pse pikërisht qeveritë tona, në një moment të caktuar mund të korrin sukses por pastaj gjithmonë degradojnë. Unë e kam quajtur ‘Fenomeni’ këtë skulpturë sepse ky është fenomeni që ndodh në Shqipëri, ku masat ngrihen, ngelen të pakënaqura sepse nuk arrijnë të mbijetojnë këtu. Ky është një shqetësim shumë i madh, pse ky vend kaq i bukur, mes dy botëve Lindjes dhe Perëndimit, nuk arrin të marr më të mirat prej tyre” tregon Vladimir Llakaj për Shqiptarja.com.

Skulptura e Llakajt

‘Fenomeni’ duket se është i njëjtë në çdo periudhë për shqiptarët, sipas artistit Llakaj. “Kemi këtu ‘Kurrë më komunizëm’, dhe duket sikur kjo skulpturë është kundër komunizmit.. Jo, realisht kjo skulpturë ka këtu mbrapa, në fakt është e shkruar në italisht për ta internacionalizuar situatën, ku thotë se ‘demokracia është një lloj politike, që mundohet t’i bëjë popujt të besojnë sikur ata drejtojnë’. Domethënë demokracia nuk është më mirë se ‘Never more comunism’”, rrëfen Vladimir Llakaj.

Llakaj vazhdon më tej në rrëfimin për Shqiptarja.com me gërmime në të shkuarën e tij, në kohën kur ka studiuar në Itali. “Kujtoj fjalët e një profesori italian kur shanim komunizmin dhe mburrnim kapitalizmin e tyre, mënyrën e demokracisë edhe na thotë pse flisni me kaq siguri për një gjë që nuk e njihni, po i thamë ne ‘edhe ti profesor nuk e njeh komunizmin’. Unë tha ‘i njoh më mirë se ju të dyja këto periudha. Ju kur dilnit nga dera e shtëpisë kishit një parrullë përpara që shkruante ‘Këtë mos e bëj, Këtë bëje’... por këtë tjetrën mos e bëj se më këtë pushkatohesh, apo internohesh. Ndërsa në kapitalizëm tha është e njëjta gjë të pushkatojnë, të internojnë, të pengojnë por atë tabelën përballë nuk e ke... ky është ndryshimi” - tha Vladimir Llakaj për Shqiptarja.com.

E veçanta e skulpturës ‘Fenomeni’ është edhe forma e saj, që tregon sipas artistit Llakaj esencën e kësaj vepre.

“Është kjo formë për të treguar një lloj bllokimi, një lloj trysnie që i përçohet njeriut dhe ai është i detyruar në mënyrë natyrale të kanalizohet brenda disa lloje konformizmave të detyrueshme për mbijetesë. Është një lloj dhune dhe brenda kësaj dhune mblidhen të gjitha këto ngjarje, këto histori, kjo esencë. Mund të vijë momenti, që ky njeri, ky personazh, ky popull mund të shpërthejë, nuk mund t’i durojë dot më këto linja të hekurta të dukshme dhe të padukshme” - u shpreh artisti Vladimir Llakaj.

Nëpërmjet kësaj skulpture, Llakaj dëshiron të zgjojë shqiptarët dhe t’u kujtojë atyre që ëndrrat nuk duhet të lejojmë të na i vrasin. “Ndaj, kjo është një skulpturë reflektive, është një mënyrë për t’i bërë njerëzit të reflektojnë, sigurisht të gjithë, edhe vetë politikanët. “ Vladimir Llakaj për Shqiptarja.com

Në pamje të parë, duket se skulptura ‘Fenomeni’ që demonstron zvarritjet e popullit shqiptar brenda kornizave politike, është në një linjë tjetër nga skulpturat e tjera që Vladimir Llakaj ka zgjedhur të sjellë në ekspozitën e tij ‘Informal’, por artisti tregon të fshehtën e tyre.

“Fenomeni duket sikur del nga linja sepse është më deklamative, të tjerat duket sikur se kanë këtë lloj demaklacioni, këtë lloj tendence për të akuzuar, por realisht e kanë të fshehur brenda vetes, e kanë më në brendësi. Këto skulptura vërtet janë formate arkitektonike mistike, por që brenda tyre mbartin një lloj drame, një lloj shtrëngese dhe një lloj kërkese për t’u liruar diku” .

Në ekspozitë, artisti Llakaj ka përfshirë edhe tre piktura të cilat kur i sheh të përçojnë një farë shqetësimi, i cili të shoqëron edhe teksa largohesh.

“Edhe pikturat në vetvete akuzojnë trysninë që i bëhet relievit tonë, gjeografisë sonë me ndërtimet pa kriter”..

Vladimir Llakaj është edhe pedagog në degën e skulpturës në Akademinë e Arteve, por si artist ai paralajmëron pasojat e problemeve..

“Unë mundohem të mos merrem me politikë ekzakte në punën time, por arti dashje pa dashje ndikohet nga politika, nga gjendja shoqërore.. artisti vetë ndikohet dhe ai sygjeron.. ai ka intuitën të sugjerojë ku qëndron problemi. Artisti paralajmëron, ndjen para kohe erërat e errëta që do vijnë në jetën sociale".

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?