Të enjtën në orën 18:45 në stadiumin ‘Loro Boriçi’ ekipi shqiptar i Vllaznisë së vajzave do të debutojë në grupet e Chemapions League dhe menjëherë e pret një superpërballje kundër Real Madrid. Pavarësisht kundërshtarit tejet prestigjioz dhe të fortë në letër në kampin shkodran ka optimizëm edhe për faktin se presin mbëshetjen e zjarrtë të publikut.
“Vllaznia është gati, pasi vajzat janë përgatitur nga të gjitha pikëpamjet fizikisht, teknikisht, por edhe morali është shumë i lartë. Kjo sepse vajzat kanë një karakter të jashtëzakonshëm në fushën e lojës dhe këtë do e shprehim edhe në fushën e lojës. Në fund kjo është një garë dhe aty synohet rezultati sa më pozitiv,”-u shpreh Nikolin Leka, trajner i Vllaznisë.
Futbollistet janë koshiente për vështirësinë e ndeshjes, por thonë se do ta përballojnë me kurajo 90 minutëshin dhe do tentojnë të bëjnë surprizën.
“Natyrisht që e vlerësojmë kundërshtarin, por frikë nuk kemi asnjëherë pavarësisht se kë kemi përballë. Edhe ne kemi vlerat tona, aftësitë tona dhe futemi në fushën e lojës për të marrë maksimumin,”-tha Esmeralda Franja, futbolliste e Vllaznisë.
“Janë ekipe të mëdhaja me finananca të konsiderueshme. Kanë sponsora të mëdhenj, por ne kemi karakter dhe falë stërvitjes e meritojmë të jemi në këto grupe,”-deklaroi Megi Doçi, futbolliste e Vllaznisë.
Si të mos mjaftonte Real Madridi Vllaznia e vajzave është shortuar në të njëjtin grup me Chelsea-n dhe Paris SG.