Ora e re policore/ Frendo për Report Tv: Mesha e Krishtlindjes do të mbahet në orën 18:00! Masat që ka marrë Kisha për të shmangur grumbullimet

23 Dhjetor 2020, 13:44| Përditesimi: 23 Dhjetor 2020, 17:15

  • Share

TIRANË- Mesha e Krishtlindjes ishte parashikuar që të zhvillohej në 20:00, por për shkak të masave të reja, ajo është vendosur që të mbahet në orën 18:00 në Katedralen e Shën Palit dhe 18:30 në Dioqezat e tjera, kështu qytetarët do të kenë mundësi që të kthehen në shtëpi para orës së re policore 20:30. Lajmi është bërë i ditur nga Kryeipeshkvi i Kishës Katolike në Shqipëri, George Frendo në një intervistë për Report Tv me gazetaren Doris Sallaku. Imzot Frendo komentoi edhe letrën që i ka dërguar Komitetit Teknik të Ekspertëeve, ku i cilësoi masat e reja si të nxituara dhe diskriminuese.

"Ishim të detyruar të ndryshimin orarin. Kishim njoftuar që Mesha e Krishtlindjes do të mbahej në orën 20:00 ndërsa në Katedralen tonë do të bëhet në orën 18:00, ndërsa në Dioqezat e tjera para orës 18:30. Se duhet të kemi parasysh që duhet të kthehen në shtëpi deri në orën 20:30.  Na erdhi keq për shumë arsye pasi një ditë më parë kishim njoftuar besimtarët që mesha do kremtohet në orën 20:00. Na erdhi keq sepse zakonisht kur bëhen udhëzimet, bëheshin gjithmonë të premten ose të shtunën dhe hynin në fuqi të hënën, këtë herë janë shpallur të hënën dhe hynë në fuqi me 24, pikërisht në natën kur ne si Kishë Katolike kremtojmë lindjen e Krishtit. Na erdhi keq sepse pa u konsultuar morën vendimin, duke e ditur që ne si Kishë Katolike kremtonin lindjen e Jezu Krishtit. Nga ana e përgjigjes së tyre kanë thënë se nuk e dinin, nuk e kishin ndërmend që në atë natë, në vigjilje të Krishtlindjen kremtonin lindjen e Krishtit. Për këtë arsye unë kam dhënë atë përgjigje", tha Frendo për Report Tv.

Frendo shtoi edhe masat që ka marrë Kisha për të shmangur grumbullimet e njerëzve, por njëkohësisht që asnjë qytetar të mos humbasë meshën në vigjilje të Krishtlindjeve.

"Nga eksperienca ime unë këshilloj besimtarët, kini kujdes, mos të përjetoni atë që kam përjetuar. Do të marrim masa në Kishë. Kur të shohim që në Kishë nuk do të ketë më shumë vende për të ruajtur distancën, atëherë do të mbyllim, kishën dhe do të vendosim një ekran që meshën ta ndjekin jashtë duke e shikuar në ekran", tha Frendo.

Arqipeshkvi ka folur për eksperiencën e tij në betejën me COVID-in që ka zgjatur për 5 javë. Vështirësinë më të madhe, përveç dhimbjes fizike dhe psikologjike, ai rrëfen se e ka pasur me faktin se duhet të qëndronte i vetëm pa asnjë kontakt me njerëzit e tjerë.

"Ka qenë një dhimbje e madhe, më shumë dhimbje fizike dhe psikologjike, dhimbja më e madhe ishte që isha larg popullit tim. Së dyti kam kaluar 5 javë në Itali, 2 javë në spital, 3 javë në karantinë se isha pozitiv dhe isha i detyruar të rri në një karantinë shumë rreptë. Njeriu është një qenie shoqërore dhe fakti që nuk kisha asnjë kontakt me njerëzit, 3 javë në karantinë pa asnjë kontakt ishte një dhimbje e madhe, por mund të them që ishte dhe një rast për t'iu ndjerë më afër me Jezu Krishtin dhe jam ndjerë edhe me shumë solidaritet me ata që ishin duke vuajtur, ende po vuajnë ose do të vuajnë për shkak të COVID-19", përfundoi Frendo.

Në fund, Frendo jep edhe një mesazh për popullin shqiptar.

"Populli shqiptar në historinë e tij ka kaluar shumë sfida e rreziqe dhe doli ngadhënjyes dhe shpresojmë të ndodh e njëjta gjë. Vjet kremtuan Krishltindjen një muaj pas tërmetit, sivjen në situatën e COVID. Nga një situatë e keqe mund të dalë gjë e mirë, prandaj sivjet detyrohemi të të kujtojmë që duhet të kërkojmë gëzimin e kësaj dite jo në festa dhe dreka të veçanta në pritje që organizonim me miqtë tanë, por ta kërkojmë me personin që na ka lindur me Jezu Krishtin, Krishtlindja është e familjes, e prandaj dhe Krishtlindjen sivjet jemi të detyruar ta festojmë brenda familjes dhe kjo na kujton që Krishti kërkon të jetë i pranishëm në familjet tona dhe vlerësojmë edhe më shumë dinjitetin e familjes, është shumë më e bukur kur është e bashkuar me dashuri dhe paqe", përfundoi Frendo.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?