Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban

Orban: Trump do ta ndërpresë mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën

8 Nëntor, 12:57| Përditesimi: 8 Nëntor, 13:10

  • Share

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka thënë të premten se Ukraina e ka humbur tashmë luftën kundër pushtimit rus dhe se presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, do ta ndërpresë mbështetjen e SHBA-së për Kievin.

Orbani është nikoqir i një samiti dyditor në kryeqytetin hungarez Budapest, ku lufta në Ukrainë do të jetë lartë në agjendë në tubimin e së premtes të liderëve të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, shumica e të cilëve besojnë se vazhdimi i furnizimit të Ukrainës me armë dhe ndihmë financiare janë elemente të rëndësishme për sigurinë e kontinentit.

Duke folur në radion shtetërore të premten në mëngjes, Orban – i cili është i afërt me Trumpin dhe presidentin rus Vladimir Putin – e përsëriti qëndrimin e kamotshëm se duhet të shpallet armëpushim i menjëhershëm.

Ai parashikoi se Trumpi, i cili i fitoi zgjedhjet në SHBA këtë javë, do t’i japë fund luftës në Ukrainë.

“Sikur Donald Trump t’i kishte fituar zgjedhjet e vitit 2020 në Shtetet e Bashkuara, këto dy vjet ankthi nuk do të kishin ndodhur, nuk do të kishte pasur luftë”, tha Orban.

“Gjendja në vijën e frontit është e qartë, ka ndodhur një disfatë ushtarake. Amerikanët do të tërhiqen nga kjo luftë”, shtoi ai.

Forcat ruse kanë shënuar përparime të vogla rishtazi në lindje të Ukrainës, megjithëse pozicionet në vijën e frontit kanë mbetur kryesisht stabile për muaj të tërë. Megjithatë, forcat ukrainase janë duke hasur në vështirësi t’i bjënë ballë ushtrisë ruse, e cila është më e madhe dhe e pajisur më mirë.

Mbështetja nga Perëndimi është tejet vendimtare për Ukrainën për t’u bërë barrë pasojave të luftës. Pasiguria për atë se sa do të zgjasë kjo ndihë u rrit këtë javë, pas fitores së Trumpit në zgjedhje.

Trumpi vazhdimisht e ka kundërshtuar mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën.

Gjatë takimit të enjten të liderëve evropianë në Budapest, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i kundërshtoi pretendimet e Trumpit se lufta e Rusisë me Ukrainën mund të përfundojë brenda ditës. Ukraina dhe shumë mbështetës të saj evropianë druajnë se kjo nënkupton marrëveshje paqeje sipas kushteve që i leverdisin Putinit, që përfshijnë heqjen dorë nga territori.

“Nëse do të ndodhte shpejt, do të humbiste Ukraina”, tha Zelensky.

Orbani ka kohë të gjatë që kërkon minojë përkrahjen e BE-së për Kievin dhe në vazhdimësi ka bllokuar, vonuar apo pakësuar përpjekjet e bllokut për ta furnizuar me armë dhe të holla.

Para samitit të premten, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha: “Ne duhet ta forcojmë Ukrainën, ta mbështesim atë, sepse nëse nuk e bëjmë, do të ishte sinjal i gabuar për Putinin, si dhe për disa regjime të tjera autoritare nëpër botë”./REL

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 09/11/2024 03:39

    Po ferkon duart Uria Hip Orbani i Hungarise,kermilli i Putinit! Mos u gezo para kohe, se Ukraina ka mbeshtetjen e Evropes e GB,nuk perkulet askush para teje,Trumpit e Putinit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?