Klubi i Besës së Kavajës që militon në Kategorinë e Parë të futbollit shqiptar, i ka quajtur arbitrat "ordinera me bilbil në gojë që vjedhin ndeshjen në mes të ditës". Verdhezinjtë humbën në fundjavë 2-0 në Peshkopi kundër Korabit, me sfidën që vlente për javën e katërt në këtë ligë. Golat e Bockës dhe Nurit në fundin e ndeshjes i dhanë tri pikë vendasve, teksa kavajasit kanë akuzuar arbitrat për ndodhitë e transfertës.
Gjithçka lidhet me një rast goli të anuluar. Në pamjet e ofruara nga klubi kavajas, duket anulimi i golit të tyre për pozicion jashtë loje. Te Besa janë të bindur që goli i barazimit ishte në pozicion të rregullt dhe ndeshja do kishte tjetër ecuri nëse anësori nuk do ngrinte flamurin, për më tepër që mbrojtësi i Korabit shkaktoi autogol.
"Hajdutë të veshur si arbitër vjedhin ndeshjen në mes të ditës. 5 minuta para përfundimit anullohet goli i ekipit tonë, në mënyre qesharake autogoli jepet për offside, kur dukshëm lojtari i Besës është 1 metër prapa lojtarit të Korabit. Pjesa më e çuditshme ishte kur kryesori pyet anësorin përse u anullua kur ishte autogol , ndërsa anësori përgjigjej të shikojmë videon dhe më pas të vendosim", tregon klubi verdhezi.
Më pas Besa akuzon se për sa kohë do vijojë diçka e tillë, duke ngritur edhe pikëpyetje.
"Edhe sa kohë do të vazhdojnë këta ordinerë me bilbil në gojë të vendosin ndeshjet me paramendim? Edhe sa kohë do të vazhdojnë të tallen me investimet tona dhe djersën e futbollistëve??? FC Besa kërkon marrjen e masave për arbitrat e sotem dhe drejtësi në ndeshjet e ardhshme", mbyllet reagimi i Besës.