SHKODËR - Vllaznia dhe Teuta luajnë nesër në orën 17:00 në "Loro Boriçi", sfidë kjo që vlen për javën e 23-të në Superligës. Përpara mediave këtë të premte doli tekniku i shkodranëve, Qatip Osmani. Ai tha se objektivi i të tijve është të marrin tri pikë kundër durrsakëve, si edhe të fitojnë ndeshjen pasardhëse, atë me Egnatian. Gjashtë pikë në dy ndeshjet e radhës kërkojnë te Vllaznia.
“Pas dy barazimeve, vjen ekipi i Teutës, ekip i cili në rezultatet e fundit ka treguar se është në formën e mirë. Megjithatë, ne kemi llogaritë tona, dihet që Vllaznia duhet të fitojë këtë ndeshje për ecurinë e kampionatit së pari, por edhe për vendet e para që synon. Përveç mungesës për karton të Salës, të gjithë lojtarët e tjerë janë në dispozicion.
Stërvitja? Theksi ka qenë te realizimi, gjatë gjithë javës kemi punuar këtë element. Unë personalisht kam respekt të madh për Martinin edhe pse nuk jemi takuar shumë. Kam respekt për atë si person dhe sigurisht respekti është jashtë fushës. Por sigurisht Edi e unë dëshirojmë që ekipet tona të luajnë sa më mirë, të fitojnë sa më shumë.
Por përforcimet mendoj se ka ende vend për përmirësim, ndoshta edhe fizikisht nuk janë gati, por shpresojmë që shumë shpejt të vijnë edhe ata në ekip. E pashë edhe në ndeshje që u mungon loja, se gjithë kohën disa elementë që gabuan, është munegsë e lojës. Kjo është mungesë që ato në lojërat e zakonshme nuk duhet bërë. Por pauza e gjatë bën të vetëm, Ajdareviç ka një muaj e gjysmë apo dy që nuk ka luajtur.
Mosaktivizimi i Gomez? Një nga arsyet është se shënon Balaj. E dyta është se në ndeshjen e fundit, për shkak të dëmtimeve të Alivodës e Stojanoviç, ishim të detyruar të bënin disa ndërrime, ndoshta në situata të tjera të lojës ishte në plane edhe Bruno të futet në lojë. Ne kërkojmë që edhe pas Teutës, tri pikët e radhës të jenë me Egnatian", tha mes të tjerash Osmani.
Pas 22 javëve kampionat, Vllaznia renditet në vendin e tretë me 34 pikë, ndërkohë që Teuta me 21 pikë mban vendin e parafundit dhe rrezikon rrëzimin një kategori më poshtë.