'Kam përfunduar dy shkolla të mesme dhe dy të larta', orëndreqësi i fundit i Bulqizës Zenel Duriçi: E kam peng që nuk ua trashëgova fëmijëve zanatin

14 Mars 2021, 22:25| Përditesimi: 15 Mars 2021, 01:15

  • Share

Në këtë punishte modeste, në Bulqizë, ushtron profesionin e orëndreqësit, 76 vjeçari Zenel Duriçi.

Ai është një nga mjeshtrit më të hershëm të orëve i mbetur në vend dhe i vetmi në qytetin e Bulqizës. Prej 65 vitesh, nga mëngjesi në darkë, i moshuari i është përkushtuar këtij zanati në zhdukje, duke ndjekur një rutinë të përditshme, të cilën thotë se e maban gjallë.

“Kam mbaruar dy shkolla të mesme dhe dy të larta. Shkollë bujqësore, shkollë elektrike, kam mbaruar edhe shkollë e lartë të bashkuar për oficer, ku jam titulluar dhe oficer, por nuk kam punuar për arsye se pata disa probleme. E kemi nis që në klasën e katërt me vëllain tim, Shefqeti. Ne ju lutëm babës dhe na bleu një orë nga ata “Reoskopët”, 1800 lekëshe. Kanë qenë pa gurë atëherë dhe filluam ta hapim atë orën me kujdes. Nëna na foli. Tha do ta prishni, do ta bëni copash dhe i tregoj babës, Por ai na dha shumë kurajë. Le ta prishin tha se për këta e kam blerë. Atëherë ne u çliruam dhe hap e mbyll, hap e mbyll atë orën. Do ti që filluam të ja marrim dorën edhe filluam gradualisht duke u marrë me orët. Edhe kur kam shkuar në shkollë të mesme edhe në shkollën e lartë gjithmonë veglat e orëndreqësit i kam pas marrë me vete dhe rregulloja ora. Tamam në këtë linjë jam futur mbas vitit 1990. Jam marrë me kohë të plotë me riparimin e orëve. I takon rreth 64-65 vite që jam marrë me riparimin e orëve dhe vazhdoj edhe sot”, tha orëndreqësi, Zenel Duriçi.

Për të rregulluar orët me detaje milimetrike, 76 vjeçari tha se i arrin vetëm falë shëndetit të mirë.

“E kam pasion. Më mban edhe gjallë. Në aktivitet të vazhdueshëm e ruaj regjimin. Ca shokë të mi bëjnë shaka si në kohën e Enverit thonë me rrëgjimin. Dal në orën 7-të të mëngjesit nga shtëpia. Merrem me fizkulturë.  Kjo punë më ndihmon shumë se më mban në kontakt me njerëzit. Më mban trurin të zhdërvjelltë. Nuk mbyllesh në vetvete. Ka shumë të mira, plus ka dhe një fitim nga ana financiare, por kryesorja është se mua më ndihmon shumë për ta mbajtur veten”, u shpreh ai.

Zanatçiu na tregon se si e nisi këtë punë që më pas u kthye në pasion.

Ky është xham zmadhues. Zmadhon katër herë më shumë  bilancierin, mashën, gurët e mashës.Pejesët e orës janë punë të holla dhe duhen parë mirë. Bëhet fjalë me të qindtat dhe të mijtat e milimetrit. Atëherë përdor këtë xhamin zmadhues Unë kam pas një avantazh se për të shikuar, shoh mirë. Nuk kam dridhje të duarve, se po tu dridhen duart nuk bën dot asgjë. Njëra është ora ime, ndërsa këta janë dy ora “Orient”. Janë me vetë kurdisje dhe i mbaj për ti provuar si ecin. A kurdisen mirë që të kaloj 24 orëshin. Prandaj i mbaj në dorë që të kem saktësi kur të ja jap klientit”, tregoi Duriçi. 

Pengu i vetëm i vetëm i tij është që zanatin nuk arriti që t’ ja trashëgojë fëmijëve të tij.

“Kam dy vajza dhe një djalë. Dy vajzat janë me shkollë të lartë. Alma është  mësuese e Gjuhë-Letërsisë, Blerina është Psikoterapiste dhe djali ka shkollën e mesme elektrike, por nuk e ka qejf këtë zanat. Nuk i futet se thotë nuk kam durim. Për këtë zanat duhet ta kalisësh shumë durimin edhe unë po ta lë një javë, dhjet dit mos merrem me të e lej dhe nuk e filloj dot më”, përfundoi orëndreqësi.

 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?