Në një qytet që po ndryshon me shpejtësi, disa profesione po mbeten vetëm kujtim. Riparimi i këpucëve, rrobaqepësia, riparimi i televizioneve dhe orëndreqësi, po shkojnë drejt zhdukjes.
Në këtë dyqan të vogël në zemër të Fierit punon Alban Zijai, 55-vjeç, një nga të paktët orëndreqës të mbetur në qytet. Çdo ditë, me përkushtim, ai vazhdon të ruajë zanatin e mësuar nga i ati që në adoleshencë.
“Jam djali i usta Ganiut. Që në moshën 15-vjeçare fillova të merrem me orët në shtëpi. Më pas, pas gjimnazit, në vitin 1990, hyra në punë dhe nuk jam shkëputur më. Këtë zanat e kam me qejf', tha Alban Zijai.
Albani shpreh keqardhje për të rinjtë që nuk duan ta ndjekin traditën.
“Ky profesion po zhduket sepse njerëzit sot duan fitim të shpejtë. Nuk punojnë më me pasion. Edhe djali im e ka provuar, por më shumë i pëlqen shitja”, tha ai.
Teksa ora digjitale zëvendëson atë me akrepa, ky profesion po mbijeton vetëm falë dashurisë së zanatçinjve të vjetër. Zanate si ai i orëndreqësit janë pasuri kulturore që duhen ruajtur por fatkeqësisht në Fier sot kanë mbetur vetëm 5 orëndreqës, të cilët janë mbi 60- vjeç.
Komente
