4 studiues shqiptarë marrin pjesë në Kongresin e 24-tërt të studimeve Bizantine. Lida Miraj prezanton në Venecia “Mitin e Orfeut” e ndalet tek Mozaiku i tij në Durrës. Ajo rrëfen vlerat e rralla të mozaikut, se si u zbulua në 88-ën nga studiuesi Moikom Zeqo, dhe bën thirrje që shteti të marrë masa për ta bërë të vizitueshëm
“Bizanti- si ura mes botëve”... pas dy viteve me pengesë pandeminë, mbahet nga kjo e hënë për 6 ditë radhazi Kongresi i 24-tërt Ndërkombëtar i Studimeve Bizantine në Venecia e Padova.
Prej Shqipërisë, studiuesit janë katër. Eduart Shehi referon për familjet mesjetare në Durrës ndërsa Sokol Çunga e Andi Rembeci për kodikët palaiologë në vendin tonë, duke u përqendruar tek Arti e Kultura e Librit. Arkitekte e studiuese e arkeologjisë, Lida Miraj, prezanton temën “Miti i Orfeut/Bariu i Mirë në periudhën e hershme të krishterë dhe mozaiku i Orfeut në Durrës”.
“Prezantimi im lidhet me figurën e Orfeut. Figura e Orfeut është e hershme, e hasur në periudhën greke, është përdorur në vazo, po ashtu në periudhën romake. Dhe në periudhën e Krishtërimit të hershëm është përdorur shumë sidomos në afreske dhe mozaikë, sepse Orfeu lidhej me figurën e Krishtit, kur krishterimi ishte i ndaluar. Krishterimi u lejua në kohën e perandorit Kostandin. Në 313-ën u mbajt Edikti i Milanos, që u lejua, se më përpara të krishterët dënoheshin”, thotë arkitektja e arkeologia Lida Miraj.
Monument i trashëgimisë i zbuluar në vitin 1988, në bodrumin e një shtëpie private në Durrës daton në shekullin II pas Krishtit.
“Në Durrës është zbuluar nga Moikomi në vitin 1986, një mozaik që është nën themelet e një shtëpie, dhe është një nga mozaikët më të bukur në botë me figurën e Orfeut. Ka një emblemë me figurën e Orfeut, me disa kafshë, shpendë dhe pemë. Në këtë mozaik, Orfeu dorën e djathtë e ka, por nuk duket lira sepse Mozaiku është i dëmtuar. Pjesa kryesore e mozaikut i ka teserat shumë të vogla dhe anash është një kompozim me figura gjeometrike dhe floreale, me tesera pak më të mëdha ”, shprehet Miraj.
Por, ndonëse kanë kaluar mbi 3 dekada “Orfeu” i Lagjes së re të Durrësit mbetet ende i kyçur.
“Është i mbyllur... unë kam propozuar që shteti duhet ta blejë atë shtëpinë. Mund të bëhet pikë e vizitueshme. Sepse thuhet gjithmonë, që “t’i shërbejë turizmit”, së pari duhet që ti shërbejë shqiptarëve”, rrëfen më tej arkitektja.
I realizuar me gurë kubikë polikrom e me një larmishmëri ngjyrash ku bie në sy e kuqja, Miraj thotë se “Orfeu” i Durrësit si personifikim i figurës së Krishtit ka vlera të rralla e institucionet duhet të hartojnë një plan konkret që ai të jetë i mirëmbajtur e i vizitueshëm.