Me rastin e Ditës Botërore të Dhurimit të Gjakut, Organizata Shqiptare e Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut organizon një aktivitet sensibilizues pranë Digës, te Liqeni Artificial i Tiranës, nga ora 16:00 deri në 20:00. Aktiviteti, “Flaka e Dashurisë dhe e Solidaritetit”, ka për qëllim të promovojë dhurimin vullnetar të gjakut dhe të ndërgjegjësojë qytetarët.
Të gjitha grupmoshat nga 18 deri në 60 vjeç ftohen të marrin pjesë dhe të kontribuojnë me dhurimin e gjakut për të shpëtuar jetë.
Sot shënohet Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut, një ditë ndërkombëtare e dedikuar sensibilizimit për rëndësinë e dhurimit vullnetar dhe të sigurt të gjakut. Kjo ditë synon të nderojë të gjithë ata që dhurojnë gjak për të shpëtuar jetë dhe të rrisë ndërgjegjësimin mbi nevojën e vazhdueshme për gjak dhe produkte të gjakut në sistemet shëndetësore.
Miliona pacientë në të gjithë botën mbështeten në transfuzionet e gjakut sistematikisht; çdo pikë gjaku, çdo dhurim është një akt madhor në shërbim të jetës dhe të ardhmes.
Fokusi i Ditës Botërore të Dhurimit të Gjakut 2025, është: “Dhuroni gjak, jepni shpresë: Së bashku shpëtojmë jetë”.
Komente
