Një numër organizatash shqiptaro-amerikane i kanë kërkuar presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që të mbështetë njohjen reciproke midis Kosovës dhe Serbisë.
Letra e firmosur nga organizata Shqiptarët për Amerikën (AFA) së bashku me Vatrën, AARC, Jehona e Malësisë, Shoqata Kosova Michigan, Shoqata Malësia e Madhe, Shoqata Dukagjini dhe Shoqata Kastrati, vlerësoi përpjekjet fillestare të presidentit amerikan për t’i ulur palët në tryezë në vitin 2020.
“Për popujt e Kosovës dhe Shqipërisë ju jeni paqebërësi i shekullit,” nis letra e organizatave shqiptare në Amerikë.
Megjithatë ato theksuan se Serbia ka neglizhuar zbatimin e disa prej pikave kritike të Marrëveshjes së Uashingtonit dhe “vazhdon të forcojë aleancat me kundërshtarët e Amerikës, si Rusia, Kina dhe Irani, duke cenuar kështu përpjekjet për bashkëpunim rajonal të ngushtë dhe duke kërcënuar interesat amerikane”.
“Sot ju jeni në pozicionin unik për të siguruar që procesi i normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë të mbërrijë konkluzionin e duhur: njohjen reciproke brenda kufijve ekzistues.
Me respekt ju kërkojmë të:
1. Riafirmoni publikisht mbështetjen e SHBA-së për njohjen reciproke Kosovë–Serbi si themeli i paqes afatgjatë;
2. Inkurajoni të dyja vendet që të finalizojnë njohjen dhe të zotohen për bashkëpunim bazuar në parimin e normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve;
3. Mbështetni mekanizmat rigorozë të zbatimit në mënyrë të plotë dhe brenda afateve,” thuhet në letër.
Për nismëtarët e kësaj kërkese, njohja reciproke midis Kosovës dhe Serbisë nuk do të ishte vetëm një formalitet diplomatik, por rruga më efektive për t’i dhënë fund statukuosë aktuale, që i mban vazhdimisht të destabilizuar dy fqinjët e Shqipërisë.
“Pavarësia e Kosovës është një fitore e pastër amerikane. Populli i Kosovës duroi dekada nën shtypjen sistematike, që kulmuan me gjenocidin, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera nga regjimi i [Sllobodan] Millosheviqit… Shteti i Kosovës është produkt i drejtësisë historike dhe i nevojë humanitare,” nënvizojnë organizatat shqiptaro-amerikane në letrën drejtuar presidentit Trump.
Komente
