Massimiliano Allegri dhe Igli Tare

Sport

'Organizimi i klubit më ka befasuar', Igli Tare tregon si 'rrëmbeu' Allegrin në Lugano

11 Korrik, 10:19| Përditesimi: 11 Korrik, 10:21

  • Share

Giorgio Furlani, Igli Tare dhe Massimiliano Allegri, treshja kryesore e Milanit ishin të pranishëm në një event në lidhje me partneritetin e klubit me BMW. Gazetarët përfituan nga ky event për të marrë disa mendime nga Igli Tare, i cili u zgjodh para një muaji e gjysmë si drejtori i ri sportiv i kuqezinjve.

Në fillim Tare tha se është befasuar nga organizimi i klubit, duke shtuar se të gjithë kërkojnë t'ia bëjnë më të lehtë punën atij dhe trajnerit Allegri.

"Një muaj e gjysmë pas mbërritjes suaj, si po shkon puna? Jam shumë i befasuar nga organizimi i klubit. Që nga fillimi ndjeva se të gjithë ishin të gatshëm të na vendosnin mua dhe Maxin në kushtet më të mira të mundshme për të siguruar që ky projekt të nisë mirë.

Kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë, jemi në fazat e hershme. Duhet të jemi të sigurt dhe të aftë për të sjellë atë përvojë, atë mentalitet, atë diçka shtesë të nevojshme për të përfaqësuar një klub të lavdishëm si Milani", tha Tare.

Më pas 'bjondi' shqiptar u ndal edhe te udhëtimi në Lugano dhe prapaskenat sesi bindi trajnerin Allegri që të pranonte postin.

"Trajneri? Ne vendosëm së bashku me klubin të bënim këtë ndryshim. Na duhej një përgjigje e fortë menjëherë, me një trajner me përvojë dhe me mentalitet fitues si Max. Dhe nuk kishte dyshim. Pas një telefonate midis tij dhe meje, unë dhe Giorgio shkuam në Lugano për të takuar Allegrin. Ishte një takim i këndshëm sepse në ato dy ose tre orë kuptuam se kishte një sinergji, por mbi të gjitha, dëshirën për të vazhduar këtë udhëtim. Jemi të tre këtu dhe po përpiqemi të bëjmë më të mirën që mundemi", tha Igli Tare.

Milani ndodhet në përgatitje të sezonit të ri dhe Tare po punon për përforcimet e nevojshme, teksa janë konfirmuar Luka Modric dhe Samuele Ricci.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksioni ndaj objekteve pa leje në sezon turistik, a dëmtohet imazhi i vendit?