Sot në Universitetin e Durrësit, në fakultetin e Biznesit u organizua një seminar në përfundim të projektit "Histek" Shqipëria Pulia Mali i Zi. Ky projekt është një ndër projektet e Programit Interreg që mbështetet me fondet e BE. Në seminar morën pjesë drejtues të Universitetit Aleksandër Moisiu Durrës që është përfituesi direkt i këtij projekti, përfaqësues të ambasadës Italiane në Tiranë, përfaqësues të rajonit Pulias si dhe pedagogë e lektorë të UAMD.
Ky projekt kishte si qëllim vendosjen e urave të bashkëpunimit ndërmjet universiteteve dhe bizneseve për t'iu përgjigjur nevojave të tregut. Pikërisht mbi këtë bazë do të ndërtohen kurrikulat e sistemit universitar.
Përfaqësuesja e ambasadës italiane, Lucia Cicciarelli në fjalën e saj theksoi rëndësinë e implementimit të sistemeve moderne të teknologjisë në Universitetet tona si dhe bashkëpunimin e tyre me bizneset në marrëdhënie reciproke për të ndikuar në zhvillimet ekonomike.
Në Shqipëri ushtrojnë aktivitetin e tyre mbi 3 mijë subjekte italiane dhe marrëdhënia e tyre me universitetet është shumë e rëndësishme. Kjo ndikon direkt në përgatitjen e specialistëve për tju përshtatur sfidave ekonomike.
dërkohë ky projekt dhe të tjerë pas tij do të ndikojnë në përgatitjen e specialistëve të ekonomisë që të përafrojnë dijet e tyre e të jenë të aftë të shërbejnë në hapësirën e 3 vendeve.
Nga ana e saj rektorja e UAMD, Kseanela Sotirofski foli për rëndësinë e projekteve që do të ndikojë në formimin e specialistëve të fushës por edhe në diplomimin e studentëve me diploma të ngjashme me atë të vendeve të rajonit.
Sipas saj, UAMD është përfitues jo vetëm i këtij projekti me vlerë 165 mijë euro por edhe i 11 projekteve të tjerë me vlerë 20 milion euro të cilët kanë ndikuar në rritjen e cilësisë së mësimdhënies,modernizimin e kabineteve etj përfitime.
Dekani Shkëlqim Fortuzi tha se në fakultetin që ai drejton studiojnë 3500 studentë në programet baçelor dhe master si dhe 74 pedagogë dhe lektorë.
Ata do të jenë përfitues direkt të këtij programi që synon përmirësimin e kurikulave në funksion të nevojave të tregut.