Avokati Sokol Mëngjesi

Organizoi dhe porositi sulmin ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, Apeli lë në burg Dritan Nanon

22 Tetor, 15:42| Përditesimi: 24 Tetor, 15:33

  • Share

Gjykata e Apelit ka lënë në burg, Dritan Nanon, pasi ky i fundit organizoi dhe porositi sulmin ndaj Sokol Mëngjesit, i cili u dhunua barbarisht më 29 maj 2024.

Nano kishte bërë apel për zëvendësimin e arrestit me burg në arrest shtëpie, një kërkesë të cilën Apeli e rrëzoi.

“Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të paraqitur, nga personi nën hetim me iniciale Dritan Nano, i cili kërkoi zëvendësimin e masës së sigurimit  personal nga “arrest në burg”, në atë të “arrest në shtëpi”. Në përfundim të gjykimit, sot më datë 22.10.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Valbona Vata, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 2188 Regj.Them, datë 25.09.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”, njofoi sot Apeli.

Si ndodhi ngjarja?

Avokati u dhunua mëngjesin e 29 majit 2024 sapo la djalin në kopsht në zonën e ish-bllokut, ku si pasojë e dhunës së ushtruar qëndroi në koma për 2 javë. Dorian Alia 32-vjeç i cili u vetëdorëzua, ka pranuar se porositës i sulmit është Dritan Nano. I riu ka pranuar se dhuna ka ardhur si paralajmërim që avokati 45 vjeçar të tërhiqej nga padia kundër Nanos për të marrë çka i takonte në pronën e fituar me gjyq te kullat e Liqenit.

58-vjeçari Nano nuk pranonte të likuidonte avokatin sipas kontratës që kishin firmosur, pasi Mëngjesi fitoi gjyqin për pronën e një familje me 8 trashëgimtarë, aty ku sot janë ndërtuar kulla te Diga e Liqenit. Marrëveshja mes palëve (trashëgimtarëve dhe avokatit) është për të përfituar një përqindje të caktuar të pronës së fituar më gjyq, pra jo pagesë, por pjesë e pronës.

Nga ana tjetër, Dritan Nano ka mohuar të jetë porositës i ngjarjes duke mos pranuar të bashkëpunojë me hetuesit, edhe pse këta të fundit janë të bindur që ai është organizatori kryesor.

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?