TIRANË- Vihen nën hetim 6 persona për organizim grumbullimi dhe manifestimi të paligjshëm, si dhe për mosbindje të policisë për t’u shpërndarë duke thyer masat anti-covid në ndeshjen Tirana - Kukësi.
Gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipeve Tirana - Kukësi, pasditen e djeshme, në stadiumin “Selman Stërmasi”, disa persona kanë grumbulluar pranë stadiumit, një grup tifozësh të skuadrës Tirana, në shkelje të protokolleve të sigurisë për parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke prishur rendin dhe qetësinë publike.
Personat që procedohen në gjendje të lirë janë: M. J., F. M., E. S., O. K., G. X. dhe K. M.
Gjithashtu u gjobit me 1 milionë lekë të reja pronari i një lokali në afërsi të stadiumit, pasi lejoi të futeshin dhe të qëndronin në ambientet e brendshme të lokalit, tifozët që nuk po zbatonin urdhrin e Policisë për t’u shpërndarë dhe respektuar distancimin social, urdhër i dhënë disa herë me megafon, që prej fillimit të grumbullimit të paligjshëm e deri në shpërndarjen e plotë të tyre.
Sipas policisë, materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.
Kujtojmë se në vendin tonë është rritur numri i të prekurve dhe viktimave nga koronavirusi, ku aktualisht janë 1213 persona aktivë me kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.