TIRANË- Kontrollet për goditjen e lojërave të fatit kanë çuar në pranga 6 persona, 2 të tjerë janë vënë nën hetim dhe një tjetër është shpallur në kërkim. Operacioni i zhvilluar në kryeqytet ka përfunduar me sekuestrimin e mbi 99 mijë lekëve, 10 aparateve celularë, 11 kompjuter e lëndë narkotike kanabis.
Konkretisht , në një lokal në rrugën “Xhanfizo Keko” është arrestuar pronari i saj F. K, 36 vjeç dhe klienti J. M, 23 vjeç pasi u kap duke ushtruar aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit nëpërmjet celularit. Pikërisht në këtë lokal u sekuestruan edhe 99 mijë lekët.
Në pranga ka rënë edhe 30-vjeçari B. H., i cili nuk i është bindur urdhrit të efektivëve për të hapur derën e lokalit. Ndërkohë u shpall në kërkim qiramarrësi i lokalit në rrugën “Nikolla Tupe”, M. N, 29 vjeç. Në këtë lokal u sekuestruan 11 njësi kompjuterike, 6 aparate celular, 4 tavolina pokeri, 3 valixhe çipsa.
Ndërkohë janë arrestuar E. B, 26 vjeç, pasi në rrugën “Muhedin Llagami” në lokal, ushtronte lojëra fati dhe U. S, 40 vjeç, pasi u konstatua duke ushtuar lojërat e fatit nëpërmjet celularit. 40-vjeçarit iu sekuestrua celulari dhe një shumë parash.
Gjithashtu, janë vënë në hetim L. G, 46 vjeç dhe L. B, 27 vjeç, pasi në lokalet e tyre përkatëse, u konstatuan duke ushtruar aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit nëpërmjet celularit.