Kukësi dhe Partizani përballen të mërkurën në orën 16:00 për raundin e 35-të dhe të parafundit në sezonin e rregullt të Superligës. Me verilindorët të rrëzuar një kategori më poshtë, Orges Shehi kërkon të motivojë të tijtë.
Trajneri i Partizanit foli për mediet në prag të këtij dueli, duke thënë se nuk e vlerëson Kukësin nga pozicioni në tabelë, por nga loja në fushë pasi janë finalistë të Kupës dhe eliminuan të kuqtë nga gara.
"Vazhdojmë të jemi edhe nesër pa Taipin dhe Tedin sepse do të marrin kohën e vet për t'u rikuperuar, pjesa tjetër është e gatshme. Mehmeti vijoi stërvitjen, Ismaili ka një problem jo shqetësues, nuk kemi shqetësim për të.
Skuadrat që duken të lehta në letër mund të jenë të vështira në fushë, kështu që kërkojnë vlerësim pasi për 4 ditë mbyllet kampionati dhe të kërkojmë maksimumin. Nuk e shoh Kukësin nga renditja, ka elementë dhe ka vlerësimin tonë maksimal nesër pasi na kanë eliminuar nga Kupa.
Është një skuadër që është në finalen e Kupës, nuk duhet ta ulim dozën e karikimit se ndryshe do të kemi shumë problem. Nuk duhet të fokusohemi se çfarë do të na rezervojë shorti i “Final 4″, duke qenë se luhen çdo 3 ditë mund të ketë ndryshime të vogla.Të tregojmë mentalitetin e fituesit", tregoi Orges Shehi për mediet.
Me 57 pikë Partizani mben vendin e tretë, ndërsa ndodhet vetëm një pikë pas Vllaznisë. Nga ana tjetër Kukësi luan finalen e Kupës më 14 maj kundër Egnatias, ndërsa në kampionat me 27 pikë edhe zyrtarisht e ka "prerë biletën" që sezonin e ri të jetë pjesë e Kategorisë së Parë.