Tirana pretendete për titullin kampion është në krizë rezultatesh dhe atmosfera në skuadër nuk është aspak pozitive. Kjo sepse Laçi i shkaktoi disfatën e dytë rradhazi bardhebluve, por këtë herë në kryeqytet dhe me shifrat e thella 0-3. Një rezultat që djeg shumë dhe që bëri trajnerin Orges Shehi të linte i pari stadiumin. Detaje që tregojnë se marrdhëniet me klubin dhe sidomos me presidentin Refik Halili nuk janë të mira. Madje përflitet se numri 1 i klubit i ka kërkuar indirekt dorëheqjen e trajnerit më jetëgjatë të tij. Jo më kot pas humbjes për mediat foli zëvendës trajneri Artan Karapici.
“Shumë tre gola në fakt, janë shumë, por po ta shikosh rrjedhën e lojës nuk është për tre gola. Është një ngërç që do jetë në secilin kampionat. Ne e kemi tani dhe shpresoj që ta kalojmë sa më shpejt,”-u shpreh Artan Karapici, zv/trajner i Tiranës.
Interesant është fakti se Mirel Josa në krye të Laçit debutoi me fitore pikërisht kundër Tiranës. Një skuadër me të cilën ai ka shumë lidhje dhe që nuk nguroi ta thumbonte.
“M’u duk një sfidë e vështirë për faktin se fundja po loznim kundër kryesuesve ose pretendentëve për titull. Ne nuk kemi këtë objektiva për të pretenduar për titull. Tirana është skuadër që kollaj nuk i kapërdin këto rezultate. Unë kam parë edhe ndeshjen e tyre kundër Erzenit dhe ka qenë e mjerueshme,”-tha Mirel Josa, trajner i Laçit.
Situatë me trajnerin ka edhe tek Partizani. Ditët e fundit mediat në Kroaci kanë konfirmuar spekulimet se Zoran Zekic kërkohet me këmbengulje te Osijeku, një klub të cilin ai e ka drejtuar edhe më herët. Madje edhe oferta ekonomike ka qenë shumë më e lartë se te Partizani, por në fund kanë qenë drejtuesit e kuq ata të cilët kanë refuzuar, duke i përmendur trajnerit kontratën e nënshkruar.