Orges Shehi në Report Tv: Kombëtarja një realitet në futboll, organizimi i Euro 2027 me Serbinë na zhvillon! Kam oferta edhe nga Kosova

10 Tetor, 12:54| Përditesimi: 10 Tetor, 14:41

  • Share

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan kundër Çekisë (11 tetor) dhe kundër Gjeorgjisë (14 tetor) për Grupin B1 në Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë ndodhen në pozitën e dytë me tri pikë pas dy ndeshjeve të luajtura, teksa në këtë kuotë pikësh është edhe Çekia, ndërsa Gjeorgjia prin me dy fitore.

Për të analizuar ndeshjet e Kombëtares, Superligën, organizimin e Euro 2027 për U-21 mes Shqipërisë dhe Serbisë (dhe debatin e madh për këtë temë), në Report TV me gazetarin Andi Kapxhiu foli Orges Shehi.

Ish-portieri i Kombëtares dhe ish-trajneri i Skënderbeut, Tiranës apo Partizanit, durrsaku tha se Shqipëria tanimë është një realitet në futboll.

"Lista - Më duket e pavend që të japim ne opinione për listën. Trajneri Sylvinho me aq sa e njoh unë shpenzon shumë kohë për të parë futbollistët dhe e ka një formacion në mendje. Kemi parë që trajneri ndeshje pas ndeshje, edhe në bazë të kundërshtarit dhe mungesave sjell prurje të reja dhe i kanë rezultuar vendimtare.

Mungesat? Janë me peshë që dobësojnë ekipin. Kemi edhe Asllanin që nuk është në formën më të mirë. Janë mungesa me peshë dhe shpresojmë që lojtarët e tjerë të bëjnë më të mirën.

Ekipi pas Euro 2016 dhe pas Euro 2024? E shoh ekipin mirë dhe është e rëndësishme që të kemi këtë standard. Ekipi është po ai, që lufton dhe nuk trembet e as kompleksohet nga transfertat, ku mundëm Ukrainën. Kundër Gjeorgjisë rezultati më i mirë ishte barazimi.

Çekia dhe Gjeorgjia? Ndeshjet janë shumë të rëndësishme. Gjeorgjia kryeson me gjashtë pikë, ndërsa me çekët kemi po tri pikë. Këto sfida do vendosin për ecurinë në grup. Nuk duhet të dalim pa pikë për të parë fatet në nëntor.

Strakosha, Sherri dhe Kastrati në portë - Kemi një repart që në vite është i garantuar. Edhe pse mungon Berisha, i cili është kyç brenda fushe dhe në dhomat e zhveshjes, kemi tre emra me nivel të lartë.

Liga e Kombeve dhe ëndrra për Botërorin 2026, si e arrijmë? Duhet të shohim shortin. Ne kemi ngritur një standard. Të përqëndrojmë gjithë forcat tonë për këtë eveniment të madh, por skuadra ka besim dhe luan për objektiva madhorë. Jemi realitet në futboll, ku çdo kundërshtar edhe i madh nuk e ka të lehtë kundër nesh. Kemi realisht mundësi.

14 tetor 2014 ishit në Serbi. Si duket organizimi i Euro 2027 mes Serbisë dhe Shqipërisë? Opinionet ndahen, unë jam njeri i sportit dhe lë mënjanë anën politike dhe nacionaliste. Nëse zhvillohet, do kemi shumë zhvillim në infrastrukturë. Ekipin U-21 do e kemi në grupe dhe do marrim benefite të mëdha nga ana sportive, nga ana politike ha debat.

Superliga e këtij sezoni? Është hera e dytë me këtë formulë. Nëse vjet disa ekipe u shkëputën, ndërsa këtë vit kemi rivalitet të madh. Egnatias, Vllaznisë dhe Partizanit i shtohen edhe Skënderbeu e deri në krye. Do ketë rivalitet dhe do jetë garë e fortë. Kemi Teutën, Dinamon dhe Elbasanin.

Si e sheh Partizanin? Kam parë vetëm derbin, nuk e kam ndjekur.

E ardhmja? Si trajner këtë punë kemi. Do pres momentin dhe projektin e duhur, me ide të njëjta. Derisa të jenë kushtet do jem pushim. Kam pasur oferta nga Superliga, si edhe në Kosovë. Do pres dhe do zgjedh klubin që jemi në një mendim dhe rrugë për objektivat", tha Orges Shehi.

S.Dh//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?