Orion Shima ‘i kundërvihet’ indiferencës ndaj natyrës, ekspozita “Kjo vjeshtë”, në një triptik me 19 vepra të punuara në pandemi

21 Mars 2022, 16:59| Përditesimi: 21 Mars 2022, 17:13

  • Share

2 vite pas ekspozitës “Mes errësirës dhe dritës”, Orion Shima çel një tjetër dritare arti duke tentuar të thyejë indiferencën gati ‘monumentale”, e të ndërlidh komunikimin e njeriut me natyrën. 19 vepra të realizuara në vaj përgjatë dy viteve të fundit sjellin në galerinë “Fab”, ekspozitën “Kjo vjeshtë”.

“Është një situatë që unë e ndjek me një lloj konseguence, një marrëdhënie që përfaqëson thuajse të gjithë pikturën time, që unë gjej një inspirim edhe motiv kërkimi dhe lirie në të”, tha Shima.

Me kuratorin Parid Teferiçi, e ndërtojnë ekspozitën në formën e një triptiku, ku kopshti në dhomëzën e parë ndërton një situatë idilike me natyrën. Ndërsa përballë tablove që përcjellin ndjesitë e individit për natyrën, qëndron dhomëza, ku siç thotë artisti, shpalos stoicizmin e dordolecëve që mbeten fushave, ndonëse koha kalon.  Kjo ekspozitë, thërret në kujtesën e vizitorëve veprat e tij të kaluara,  e Shima, sërish qëndron larg temave sociale.

 “Nuk preferoj temat sociale, pasi unë gjithmonë e kam konsideruar artin si një marrëdhënie të brendshme të individit me unin e tij. Edhe pse, i vlerësoj dhe ndjek kolegët që lëvrojnë të tilla tema”, tha ai.

Tablot e Shimës, sërish ruajnë dimensione të mëdha, madje motivet e kopshtit të “kësaj vjeshte” vijnë në përmasat 3.60 me 2.20 m.

 “E preferoj dimensionin e madh si një raport lirie me veten dhe mendoj që i shkon edhe subjektit që unë pikturoj", shtoi Shima.

Sërish me natyrën si subjekt, gjatë pandemisë artisti ka realizuar një tjetër cikël veprash të cilat janë ekspozuar në Berlin. Krijimtaria, duket se nuk kontaminohet negativisht, nga kjo situatë distancimi e izolimi fizik.

"Unë mendoj që pjesa më e madhe e artistit është pandemike, sepse ai jeton vetëm në studio, i fshehur nga bota dhe në kërkimin e tij personal. Ndaj e konsideroj më shumë një lloj fati se sa një lloj trishtim sa i përket krijimtarisë. Sigurisht në raportin e gjerë është një situatë e bezdisshme, por për artistin nuk besoj se ka ndikuar”, tha ai.

Ekspozita “Kjo vjeshtë”, pret vizitorët deri në 3 prill, në galerinë “Fab” që artisti e koncepton, si një nga hapësirat e pakta të ekspozimit që i ka mbetur Tiranës.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?