Vera Turistike Pogradecare gjallërohet mbrëmjen e së premtes nga tingujt e klasikëve. Orkestra e Harqeve Sigal improvizon në sheshin “Odeon” të qytetit një koncert shumëngjyrësh... me pjesëza të shkëputura nga “Suita” e Bah, “Zërat pranveror” të Shtraus, “Serenata” e Moxart e mbi të gjitha nga kompozitori i periudhës romantike Shubert.
“Në këtë rast ne kemi gjetur pjesë të shkurtra, kryesisht me valset e Moxart, pjesë të Bah e të tjerë. Janë kompozime të karakterit spektakolar që i përshtaten edhe ambientit në të cilin ne jemi sot”, shprehet dirigjenti Ermir Dizdari.
Mes publikut ka edhe artistë që shijojnë koncertin e solidarizohen me të tilla nisma, që afrojnë publikun me artin e kulturën.
“Është një iniciativë shumë e mirë, e nisur në Pogradec prej disa vitesh. Unë u gjenda rastësisht sot këtu dhe po më gëzon atmosfera e këtij koncerti” , thotë violinisti Smerald Spahiu.
Këtë mbrëmje harqet që interpretuan ishin 13, por siç rrëfen dirigjenti, orkestra u përshtatet pjesëve edhe ambienteve. Shënon një dekadë e është menduar në formën një formacioni shëtitës, që mban koncerte kudo ka shqiptarë...
“Me këtë formacion kemi bërë koncerte pothuajse në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Që nga Korça, Elbasani, Butrinti, Saranda, Durrës, Shkodër etj. Kemi qenë edhe në Kosovë, kalatë e Ulqinit në ditë të shënuara feste”, rrëfen më tej Dizdari.
Aria nga opera “Mrika” e Prenk Jakovës e bëri atmosferën më të ngrohtë, e rikujtoi misionin e Klubit të Artit dhe Kulturës Sigal, që harmonizon të tilla aktivitete edhe për të promovuar bukuritë, trashëgiminë materiale e shpirtërore të kombit tonë.
Nuk e kuptoj pse lajmi per qytetin e Pogradecit, jepet nen logon e qytetit te Korces?!?
Përgjigju