Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën pasi u zunë përfund nga një ortek bore i shkaktuar nga shembja e një akullnaje në Alpet e veriut të Italisë.
Zyrtarë të emergjencave në Itali thanë se nëntë të tjerë u plagosën nga orteku, dy prej të cilëve janë të lënduar rëndë.
Ekipet e shpëtimit kanë punuar gjatë natës për të kërkuar për 19 persona që janë ende të zhdukur, duke përdorur helikopterë dhe drone.
Një masë e madhe akulli u rrëzua më rreth 300 km në orë të dielën nga Marmolada, mali më i lartë i zonës. Viktimat, të plagosurit dhe të zhdukurit ishin të gjithë alpinistë.
Alpinistët e plagosur u dërguan në disa spitale përreth zonës, thanë zyrtarët e shpëtimit.
Ende nuk është bërë i qartë shkaku i shkëputjes së masës së akullit nga akullnaja.
Por, Walter Milan, një zëdhënës i shërbimit të shpëtimit, tha për televizionin shtetëror në Itali se në atë zonë temperaturat kanë qenë tejet të larta në ditët e fundit.
"Kjo është nxehtësi ekstreme," tha ai. "Është e qartë se është diçka jonormale."
Reinhold Messner, një alpinist italian, tha për gazetën La Repubblica se akullnaja prej vitesh është duke u shkrirë për shkak të ndikimit të ngrohjes globale.
Klima e Alpeve po ndryshon me shpejtësi. Temperaturat llogaritet të jenë rritur me rreth 2 gradë celsius, dyfishi i mesatares globale. Si rezultat, akullnajat në Alpe po shkrihen. Alpet vlerësohet të kenë humbur gjysmën e vëllimit të tyre të akullit që nga viti 1850, dhe shkalla e humbjes është përshpejtuar ndjeshëm që nga fundi i viteve 1980.
Ndërsa akullnajat tërhiqen, ato mund të bëhen të paqëndrueshme dhe të kërcënojnë jetët e njërëzve, siç ndodhi në rastin konkret.