Në fshatin Shijon të Elbasanit u kremtua Dita e Shën Johan Vladimirit, një prej shenjtorëve më të nderuar në Kishës Ortodokse. Besimtarë të shumtë, shqiptare e sllave u mblodhën pranë manastirit për të ndezur qirinj, për t’u lutur dhe për të kërkuar paqe e mirësi.
Pelegrinë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia kishin ardhur për të marrë pjesë në kremtim, duke dëshmuar rëndësinë e shenjtit.
"Jemi një grup besimtarësh që vijmë nga Ohri. Ne si maqedonas e përjetojmë shumë këtë shenjt sepse ai ishte dhëndër në Maqedoni. Johan Vladimiri ishte bashkëshorti i princeshës sonë. Më e rëndësishmja është se pavarësisht kombësisë, kjo ditë na bën bashkë këtu në Elbasan’, tha një pelegrin nga Maqedonia e Veriut.
"Jam nga Serbia. Kam ardhur për të vizituar manastirin e Shën Joan Vladimirit. Kjo është hera ime e parë këtu. Më bëri kurioz legjenda dhe vendosa ta vizitoj. Është bukur të kuptosh se si besimtarë nga Serbia dhe Shqipëria bëhen bashkë në një ditë të rëndësishme si kjo’, tha një pelegrin nga Serbia.
Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse, At Joan Pelushi dhe Mitropoliti i Elbasanit, At Andon Merdani, vlerësuan rëndësinë shpirtërore dhe simbolike të kësaj dite, duke theksuar fuqinë bashkuese të shenjtorit.
Shën Johan Vladimiri ka lindur në Krajen e Malit të Zi. Eshtrat e tij janë zhvendosur fillimisht në Durrës gjatë Mesjetës, për t’u transferuar më pas në Elbasan. Pas djegies së manastirit në Shijon, reliktet u vendosën në Muzeun Kombëtar në Tiranë. Manastiri që mban emrin e tij është rindërtuar vite më pas, duke u kthyer sot në një nga vendet më të rëndësishme të pelegrinazhit ortodoks.
Komente
