OSBE ka reaguar për situatën që po ndodh me televizionin News24 prej disa ditësh, kur për shkak të përfundimit të kontratës për qiranë e godinës, televizionit iu ndërpreu edhe sinjali i transmetimit.
Përfaqësuesi OSBE-së për Lirinë e Medias, Jan Braathu, në një reagim në Facebook ka shprehur shqetësim për situatën e krijuar.
Ai thotë se mosmarrëveshjet për pronën mes pronarit të televizionit dhe shtetit, nuk duhet të çojnë në ndërprerjen e sinjalit të transmetimit.
“Situata rreth ndërprerjes së papritur të veprimtarisë së Focus Media Group në Shqipëri është shqetësuese. Mosmarrëveshjet pronësore të biznesit nuk duhet të çojnë në ndërprerjen e menjëhershme të transmetimit të medias”, është shprehur Braathu.
Gazetarët dhe punonjësit u ndaluan të hyjnë në godinë. Edhe sendet e tyre të punës janë nxjerrë nga ambientet e televizionit dhe u dërguan në Rezervat e Shtetit dhe u protokolluan. Drejtori i televizionit ka të drejtën t’i tërheqë këto materiale, sipas një shkrese të Ardit Veliut, administratori i shoqërisë KAYO që ka marrë në zotërim godinën e pretenduar.
Por Gjykata e Tiranës, katër ditë më parë vendosi që gazetarëve t’u kthehen materialet që u morën nga godina e televizionit.
Të njëjtin qëndrim mbajti pak ditë më parë edhe zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë, që tha se gazetarët nuk duhet të pengohen në punën e tyre.
Situata me News24 është krijuar për shkak se televizionit i ka skaduar prej 3 vitesh afati i qirasë për godinën shtetërore. Televizioni ka nisur disa transmetime amatore në rrugë duke përdorur internetin.
Komente
