OSBE thirrje shteteve: Mos pengoni gazetarët, mbështesni mediat në vështirësi financiare prej pandemisë

2 Maj 2020, 23:04| Përditesimi: 2 Maj 2020, 23:06

  • Share

Në një kohë kur bota po përballet me një pandemi globale dhe të gjithë janë mbyllur në shtëpi duke pritur nga televizori apo edhe smartphone-i i tyre për informacionet, nevoja për të pasur media të lirë është akoma më jetike dhe vendimtare se kurrë më parë.

Këtë mesazh përcolli dhe përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit. Ai u shpreh se media e lirë është i vetmi burim i besueshëm ku merret informacioni dhe po ashtu, media luan rol kyç në luftën kundër përhapjes së informacioneve të rreme, që janë po aq të dëmshme sa dhe vetë virusi.

Desir u bëri thirrje shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së t’i lënë gazetarët të punojnë pa frikë apo favorizime dhe të mbështesin mediat që janë në vështirësi financiare për shkak të pandemisë.

Përfaqësuesi i OSBE për mediat, Desir shprehet se liria e medias është shtyllë e demokracisë sonë dhe se rrjedha e lirë e informimit është nevojë jetike për të gjithë qytetarët.  

Lërini gazetarët të bëjnë punën e tyre pa pengesa, sigurojuni qasje në informacion dhe mbështetini mediat që janë në vështirësi financiare për shkak të pandemisë. Tani që bota gjendet në mes të një pandemie globale, nevoja për të pasur media të lirë është akoma më jetike dhe vendimtare se kurrë më parë. Vendimtare në kuptimin që na jep informacion të besueshëm për situatën shëndetësore dhe na njeh çdo ditë me vendimet e qeverisë dhe masat shëndetësore. Shëndeti ynë varet jo vetëm nga mundësia për të pasur kujdes mjekësor, por edhe nga mundësia për të pasur informacion të saktë për pandeminë, zhvillimin e saj dhe mënyrat për të mbrojtur veten e të tjerët. Po ashtu, media luan rol kyç në luftën kundër përhapjes së informacioneve të rreme. Megjithatë, kemi parë shumë Shtete t’i përgjigjen kësaj krize me masa që kufizojnë lirinë e medias dhe aftësinë e gazetarëve për të raportuar rreth pandemisë. E kuptoj plotësisht dëshirën e autoriteteve për të luftuar informacionet e pavërteta, si ato për mjekimet e rreme. Megjithatë, kjo nuk mund të arrihet duke kufizuar lirinë e medias. Thashethemet ndalohen më mirë duke siguruar qasje në burime të shumta dhe të pavarura informimi dhe jo përmes censurës. Kemi nevojë për më shumë transparencë, për më shumë përgjegjshmëri, për më shumë gazetarë të lirë për të raportuar, jo për më shumë kufizime", tha Desir.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?