Jeddah, Arabia Saudite - Oscar Piastri me McLaren fitoi Çmimin e Madh në Arabinë Saudite (20 prill), për garën e pestë sezonale në Formula 1. Piloti australian ka tre vende të para këtë sezon dhe kryeson kampionatin, teksa më herët e kishte mbyllur në vendin e parë edhe në Shanghai e Bahrain. Pas tij Max Verstappen që u penalizua me pesë sekonda dhe Charles Leclerc.
GARA - Max Verstappen e nisi garën nga pole-position dhe katër herë kampioni i botës bëri një paraqitje thuajse fantastike, por penaliteti me pesë sekonda për shkak të një incidenti me Oscar Piastrin në fillim të garës solli që në fund ai të ishte pas pilotit të McLaren me vetëm 2.84 sekonda. Sa i takon Piastrit, me marrjen e vendit të parë pas penalitetit, ai nuk gaboi thuajse asgjë dhe meritoi vendin e parë.
Për herë të parë në podium për këtë sezon u ngjit edhe Ferrari me Charles Leclerc. Monegasku i rezistoi mirë presionit të Lando Norris dhe e la të katërtin. Në vend të pestë George Russell, që e mbylli para shokut të skuadrës Andrea Kimi Antonelli, me këtë të fundit që paçka një gjendje jo të mirë shëndetësore doli në pistë dhe mori pikë të rëndësishme. Vetëm vendi i shtatë për Lewis Hamilton.
PIKËT - Oscar Piastri i McLaren me 99 pikë mban kreun, duke lënë pas shokun e skuadrës Lando Norris me 89 pikë. Një dominim nga skuderia e McLaren në këtë nisje të sezonit. Pas tyre Verstappen me 87 pikë dhe Russell me 73.
Ndërkohë që për Konstruktorët, McLaren prin me 188 pikë duke lënë pas Mercedes me 111 pikë dhe Red Bull me 89 pikë.
MIAMI - Fundjava e 2-4 majit e gjen Formula 1 me garën e gjashtë, këtë herë në SHBA me pistën e Miamit. Gara nis të dielën e 4 majit në orën 22:00 me atë shqiptare.
Komente
