Që opozita e ka kuptuar fare mirë faktin se, në zgjedhje, në fushata, në aksione opozitare, dhe në nisma për të marrë pushtetin duhet patjetër diçka të re, që të “ngjisë” tek populli, kjo nuk ka diskutim. Por më kryesorja, është se, të gjithë ata hiqen sikur “nuk dinë, sikur nuk e kuptojnë, sikur kanë ardhur dje nga Marsi”. Të jenë kaq të paditur, apo janë vërtetë budallenj ? Në politikë, në rast se “bën sikur nuk e di, apo sikur nuk e kupton”, mbetesh mbrapa, dhe nuk ke shanse të kapësh “trenin expres” që niset drejt objektivit. Berisha ka mbi 8 muaj që flet majë ballkonit, Gazi, Muli, Mondi, apo dhe Belindi hedhin shashka dhe ndezin flakë sallat e Parlamentit dhe sheshet para bashkisë. Në rrugicën e “shpresës” nuk po duket gjëkundi shpresa, besimi, frymëzimi, i “mijëra demokratëve”.
Atëhere si do të bëhet ? Ku do ti gjejë kjo opozitë e shkrafanjitur, votat, aleatët, mbështetësit, ruajtësit e votave, ku do të gjejë emrat e rinj për lista deputetësh, ku do të gjejë popull, ti mbushë sallat dhe sheshet gjatë fushatës. Kjo për faktin sepse njerëzit sot janë me halle dhe probleme, janë me ngarkesat e tyre psikologjike, familjare dhe personale, apo merren me punët dhe bizneset e tyre.
Dhe më kryesorja, njerëzit nuk shohin “dritë jeshile” tek ballkoni Berishës, fjalimet e Gazit, Mulit, Mondit, Belindit, dhe nuk kanë fare besim se PD-ja e sotme, mund të marrë në 2025, mbi 1 milion vota. Edhe pse akuzojnë, denoncojnë, tundin letra “bakalli” çdo ditë mbi “aferat korruptive”, apo shkojnë edhe ndonjëherë në SPAK, për padi penale, duket se asgjë nuk po ringjall frymën e dikurshme të opozitës.
Ata dhe sot, madje edhe dje në Parlament, bënë sikur nuk dinë gjë nga jeta parlamentare, dhe nisën të merren me “Lulin, ndërrimin e vendeve të deputetëve”, sikur kjo do ti shpëtojë nga katrahura politike. Por më fatale mbetet hamendësia se, mund të jenë edhe të paditur (budallenj) kur prej 12 vitesh nuk prodhojnë asgjë, as ide, dhe as programe të reja, as ekip të ri, ku ti prezantohen shqiptarëve, dhe ti thonë se “PD ka ndryshuar, ne jemi qeverisja e ardhshme e vendit”. Ata kanë mbetur në llogoren e vjetër. Merren me “Gjipenë, fushën e plehrave në Tiranë, tenderat e rrugëve”, dhe ndonjë idiotësi tjetër, që nuk ngre peshë fare tek sensibiliteti njerëzve. Sikur të mos mjaftonte kjo, PD-ja ka kohë që betejën opozitare e ka fokusuar tek Beleri dhe Himara.
Mjafton të dëgjosh propogandën bajate të deputetëve, dhe atyre që mban pranë Berisha, që merren me “Himarën, Belerin,detin, kufirin me Greqinë”, për tu bindur se kjo parti ka asfiksi politike të pakthyeshme. Shpesh, duket sikur PD-ja ka një kënaqësi të lindur për të qenë përgjithmonë në “stol”. I pëlqen opozita, edhe pse nuk di të bëjë opozitë. I pëlqen roli i humbësit në zgjedhje, edhe pse nuk di të justifokojë humbjen.
Politika që sot prodhon PD-ja e Berishës, është mjerane. Duke u munguar planet për të ardhmen e asaj partie, PD-ja e sotme, thjesht po mbijeton politikisht, deri ditën që Berisha të mos ketë më “fakte dixhitale për korrupsionin”.
Por deri atëhere Edi Rama, i ka fituar edhe nja 2 mandate qeverisëse, dhe PD-ja do të jetë forcë e pestë në zgjedhje.