Takimi mes OSHEE, OSSH dhe OST

Ekonomi

Plan masash për sezonin turistik, drejtori i OSSH: Rrjet i ri për furnizim me energji pa ndërprerje, 880 punonjës në terren

25 Qershor, 18:34| Përditesimi: 25 Qershor, 18:44

  • Share

Një plan masash është hartuar nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe OSHEE për të përballuar kërkesën e lartë për energji në pikun e sezonit turistik veror.

Në një dalje për mediat mbi “sistemin elektro-energjetik, arritjet, sfidat dhe masat e marra për menaxhimin e sezonit turistik”, drejtori i OSSH Blendian Dalipi tha se gjatë muajve të verës kërkesa për energji rritet deri në 20% për këtë arsye janë shtuar grupet e punës në terren për të shmangur defektet dhe shkëputjen e energjisë elektrike.

“Kemi marrë të gjitha masat e nevojshme, për të përballuar sezonin. Sot kemi kërkesë të shtuar për energji dhe duhet të kemi një rrjet që ta përballojë këtë kërkesë. Kemi përfunduar remontin e të gjithë rrjetit shpërndarës nga nënstacionet, linjat e tensionit të lartë, të mesëm dhe të ulët. Kemi ngritur grupe pune 880 punonjës me 80 automjete për të përballuar çdo lloj problematike. Po ashtu nga rajonet që nuk kanë fluks ne marrim grup elektricistësh dhe i atashojmë pranë zonave bregdetare dhe kemi 42 punonjës forcë shtesë të atashuar në 14 grupe, dhe do kujdesen për mirëmbajtjen e zonave bregdetare. Kërkesa për energji ka vit pas viti një rritje 15-20%, në këtë muaj krahasuar me vitin e kaluar kemi rritje me 7% të kërkesës”, tha Drejtori i OSSH-së Blendian Dalipi.

Një plan masash është hartuar edhe nga OST, ndërsa drejtori i këtij institucioni tha se paraprakisht janë bërë remonte të të gjitha linjave.

“Në të gjitha nënstacionet e zonave turistike Shkodër-Sarande është bërë remont i të gjitha linjave dhe kontroll. Kemi grupe shtesë në të gjitha nënstacionet me shumë ngarkesë. Kemi marrë masa për të ndërhyrë kudo ku ka stacione. Kemi shtuar personel e vënë mjete në dispozicion në nënstacionet e bregdetit”, tha drejtori i OST Elisian Bici.

Si përgjigje të kërkesës së lartë për konsum energjie drejtori i OSSH-së Dalipi ka bërë një prezantim të të gjitha investimeve të bëra përgjatë bregdetit nga Velipoja deri në Ksamil.

“Në të gjithë bregdetin por edhe në zonat malore ne kemi bërë investime për ti prirë kësaj kërkese. Nga Velipoja deri në Ksamil kemi valë investimesh, në linja të reja, për të garantuar furnizim pa ndërprerje por kanë edhe shtim të kapacitete të tyre. Nënstacioni i Velipojës mbaron 100% brenda këtij muaj.  Nënstacioni i Lezhës ka mbaruar i kemi dyfishuar edhe fuqinë nga 60 mega në 100 mega. Por do të duhet të ndërtohet nënstacioni i ri në Shëngjin, pasi ka kërkesë edhe në këtë zonë.

Nga Gjiri i Lalzit në Spille situata është e mirë, kemi dyfishuar kapacitetet e nënstacionit të Golemit. Në Spille po mbron fideri i ri që do të garantojë furnizim të sigurt, me parametra cilësor. Edhe në Divjakë kemi ndërtuar një fider të ri, pasi ka aty biznese sezonale. Në zonën Darzezë-Seman kemi mbaruar rrjetin e zonës bregdetare, investime në tension të mesëm e të lartë.  Nga Palasa -Himarë rrjet i ri kabllor, hiqet rrjeti i vjetër ajrorë, në javën tjetër vendosen në punë kabinat e para të qendrës së e Himarës me rrjet 20 kv.

Ka mbaruar investimi në fshatin Qeparo dhe po punojmë për Borshin aty kemi instaluar nënstacion mobile për të përballuar situatën në sezonin e verës. Pak më andej kemi nënstacionin e ri 110 kv në Bunec. Jemi në proces ndërtimi të nënstacionit të ri të Xarës dhe të dy fiderave të ri në Sarandë”, tha Drejtori i OSSH.

Po ashtu dy investime madhore do të bëhen edhe në Veri të vendit, që do të garantojnë furnizim me energji pa ndërprerje në Theth dhe Tamarë.

“Dy zonat që ne kemi pasur problem gjithë kohës është Thethi dhe Tamarë-Vermoshi. Në zonën e Thethit kemi filluar investim nga nënstacioni i Koplikut në drejtim të Bogës ku në fazën e parë merr zgjidhje Razma e Boga dhe në vitin tjetër kalojmë në Theth me një linjë të re. Dhe brenda këtij viti fillon linja e re Koplik-Tamarë-Vermosh linja do nis të ndërtohet vitin tjetër”, tha Dalipi.

Kurse drejtori i OSHEE, Enea Karakaçi tha se fokusi i tyre është tek ulja e keqfaturimeve dhe shtimi i stafit.

“Kemi rekrutuar mbi 250 elektricistë të rinj në kompani dhe vijojmë të kërkojmë punonjës të rinj, që duan të punojnë me ne. Pas uljes së çmimit të energjisë, në mënyrë që të mos ketë as keq faturime ne kemi marrë 60 lexues të rinj. Që nga implementimi i uljes së çmimit ankesat për keq faturim ose mbi faturim kanë rënë nën nivelin 15%, edhe në raport me vitin e kaluar. Por ne kemi ende vende vakante për 60 lexues të tjerë aplikimet janë të shpallura”, tha Karakaci.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se rinumërimi i pothuajse gjysmës së votave është farsë e kotë?