Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me komandantin e KFOR, Ozkan Ulutas

Osmani bisedon me komandantin e KFOR-it për çështjen e urës në Mitrovicë! Presidentja kërkon hapjen pa nxitur konflikte

19 Gusht, 15:57| Përditesimi: 19 Gusht, 16:22

  • Share

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se autoritetet kosovare duhet të konsultohen dhe koordinohen me NATO-n në veçanti për ndërtimin e një plani të përbashkët për hapjen e urës në Mitrovicë.

Osmani i bëri këto komente gjatë një takimi të hënën me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutas, njoftoi Presidenca.

Derisa e përsëriti qëndrimin e saj se çështja e hapjes së urës nuk duhet të bëhet temë e dialogut me Serbinë, Osmani ritheksoi se hapja e urës “si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie”.

Qeveria e Kosovës njoftoi në fillim të gushtit synimet e saj për ta hapur urën mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të automjeteve, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe, me gjithë kundërshtimin nga SHBA-ja, BE-ja dhe vendet e QUINT-it.

Kjo nxiti edhe protestë të serbëve të Kosovës në veri javën e kaluar, të cilët e kundërshtojnë hapjen e urës.

Kosova dhe Serbia u pajtuan më 2014, gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, që ura të hapet për qarkullim, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë.

Tani ura është e hapur vetëm për këmbësorë dhe ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në të. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen afër saj gjithashtu.

Javën e kaluar, ambasadori i amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se ka rrezik të vërtetë se hapja e urës në Mitrovicë në këtë kohë mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

Po ashtu javën e kaluar, Osmani u kërkoi autoriteteve në vend që të sigurohen që ura në veri të hapet në atë mënyrë që nuk nxit konflikt me aleatët e vendit, e as prani të shtuar të KFOR-it në atë pjesë të vendit.

KFOR-i ka paralajmëruar disa herë se nuk do të hezitojë të veprojë për t’iu përgjigjur zhvillimeve të lidhura me sigurinë./ REL

G.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?