Osmani: Fuqia jonë më e madhe qëndron te partneriteti

11 Nëntor 2022, 15:59| Përditesimi: 11 Nëntor 2022, 16:00

  • Share

Presidentja Vjosa Osmani në një diskutim në kuadër të Forumit të Paqes që po mbahet në Paris, ka thënë se duhet të ndahet agresori nga viktima duke folur për luftën në Ukrainë, ndërsa ka kujtuar atë në Kosovë.

Osmani ka thënë se fuqia më e madhe qëndron te partneriteti, siç u dëshmua në rastin e Kosovës.

“Nuk duhet të biem në kurthin e lojës se të dyja palët janë të njëjta, sepse dëgjojmë deklarata se si të dyja palët kanë faj për një luftë që ka qenë absolutisht e paprovokuar nga Ukraina. Asnjëherë nuk do të duhej që të përdorej kjo qasje e dy palëve kur ka agresor të qartë dhe viktimë të qartë. Këtë e kemi parë edhe në luftërat në ish-Jugosllavi e këtë po e shohim edhe tani. Këtu mund të mësojmë nga rasti i Kosovës, që fuqia jonë më e madhe qëndron tek partneriteti”, ka thënë ajo.

Osmani ka shtuar se Ukraina duhet të mbështetet me të gjitha mjetet për ta fituar luftën me Rusinë.

“Në vitet e 90’ kur lufta e Kosovës ishte ndalur nga NATO-ja, kur NATO-ja kishte ndalur gjenocidin, ishte e suksesshme sepse partneriteti i vendeve demokratike në botë ishte bazuar në vlerat demokratike, vlerat për mbrojtjen e viktimës. Nëse dikush kryen krime lufte, krime kundër njerëzimit, dhe nuk ka drejtësi për ato krime, jemi të dënuar që të shohim përsëritjen e atyre akteve. Nuk do ta quaja ndëshkim, po drejtësi. Mendoj që Putini duhet ta humb këtë luftë, Ukraina duhet ta fitojë këtë luftë, dhe Ukraina duhet të këtë të gjitha mjetet e mundshme për ta fituar këtë luftë dhe jo vetëm për vete por për të gjithë ne, pasi Ukraina ta fitojë luftën nuk mendoj që Putini do të jetë në pushtet”.


Lajmi kryesor:

Kurti në Forumin e Paqes në Paris: Jemi gati ta zgjasim dorën nëse Serbia është e gatshme të çlirojë grushtet


M.Q./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?