Serbia nuk dëshiron të arrijë marrëveshje ligjërisht të obligueshme me Kosovën, tha mëngjesin e sotëm, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa kërkoi përkrahjen e Sllovenisë nga homologu i saj, Borut Pahor në rrugën e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.
Pahor është duke qëndruar për vizitë njëditore në Prishtinë, me ç’rast do të takojë edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Osmani, pas takimit që kishte me presidentin Pahor, foli edhe rreth gjendjes në rajon dhe dialogut me Serbinë derisa shtoi se Serbia është duke e destabliziuar rajonin.
“Kosova ka qenë pala konstruktive në dialogun me Serbinë, por Serbia nuk është e interesuar të arrijë marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Andaj vetëm njohja reciproke duhet të jetë në qendër të këtij procesi. Fqinji ynë nuk e dëshiron një paqe në Ballkanin Perëndimor. Për këtë shpresoj që BE-ja të jetë e qartë me Serbinë. Serbia po vazhdon edhe përmes strukturave ilegale në veri të destabilizojë Kosovën”, tha Osmani.
Strukturat paralele të Serbisë në Kosovë vazhdojnë të ekzistojnë, ndonëse një pjesë e tyre janë shuar vetëm në formë nominale. Këto struktura paralele mbështeten nga Beogradi. Serbia nga buxheti i saj për vitin 2021 ka ndarë 91.8 milionë euro për financimin e institucioneve paralele dhe aktiviteteve të saj në Kosovë.
Sipas Osmanit, edhe ndikimi rus paraqet një tjetër kërcënim për destabilizim të rajonit.
“Për t’u luftuar këto tendenca destabilizuese, kemi nevojë për përkrahje të miqve tanë, kemi nevojë për përkrahje të Sllovenisë”, tha Osmani.
Sipas saj, Kosova nuk ka rrugë tjetër përpos integrimit euro-atlantik. Ajo përmendi se Kosova ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave, por Bashkimi Evropian është vonuar me këtë për Kosovën andaj kjo e dëmton kredibilitetin e BE-së.
Për vizat foli edhe Pahor, shteti i të cilit kryeson me presidencën e BE-së. Presidenti slloven u pajtua që BE-ja duhet t’i liberalizojë vizat për Kosovën.
Ndërkaq duke folur për dialogun me Serbinë, Pahor tha se palët duhet të lëvizin përpara.
“Sllovenia e mbështet edhe perspektivën euroatlantike të Kosovës. Duhet të tejkalohen mosmarrëveshjet në dialog dhe të ndikojmë në Bashkimin Evropian”, tha ai.
Pahor ka arritur në Kosovë një ditë pas vizitës në Beograd, ku po ashtu porositi se duhet të zbatohen marrëveshjet e arritura në Bruksel në kuadër të dialogut mes Prishtinës e Beogradit.
Bisedimet për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë kanë filluar qysh në vitin 2011. Që nga ajo kohë janë arritur një sërë marrëveshjesh, porse shumica prej tyre nuk janë zbatuar në praktikë.
Dialogu u ndërpre disa herë për arsye të ndryshme. Por, së fundmi pengesë në dialog u bë, marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovës.
Qëllim i dialogut thuhet të jetë arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e obligueshme për të dyja palët./ REL