Osmani kritika Kurtit: S’mund të luajmë bixhoz me partnerët, cenohet mbrojtja e Kosovës! Askush s’ia ka dalë vetëm

21 Nëntor, 11:35| Përditesimi: 21 Nëntor, 12:45

  • Share

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, mbajti fjalimin e saj në parlament, I katërti në mandatin e saj si kryetare e shtetit. Gjatë fjalimit të saj ajo vuri theksin tek ruajtja e marrëdhënieve me aleatët, me të cilët sidomos gjatë vitit të fundit Kosova, ka kaluar situate jo të mira, sidomos me sanksionet e vendosura nga BE.

“Asnjë popull s’ka arritur t’ia dalë vetëm dhe asnjë shtet s’ka sukses i izoluar – forcimi i aleancave është i paçmueshëm, kurse dobësimi i aleancave është gabim strategjik. Aleanca me ata që na kanë ndihmuar ta kemi shtetin nuk është nënshtrim e as shantazh. Unë besoj që forca jonë më e madhe qëndron në partneritetet”, tha Osmani.

Tonet kritike të Osmanit iu adresuan qeverisë së Albin Kurtit me të cilin ajo do të vijojë aleancën për zgjedhjet e muajit shkurt të vitit të ardhshëm. Pozicionimin kundër këshillave të partnerëve ndërkombëtarë, ajo e cilësoi një lojë bixhozi.

“Aleancat janë këtu për të na mbrojtur. Prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to apo cenimi i tyre, cenon vetë mbrojtjen e Republikës sonë. Shihni deklarimet e liderëve të superfuqive botërore. Do të shihni qindra deklarata e fjalime se si çdo sfidë angazhohen ta kapërcejnë bashkë me aleatët sepse nuk mund t’ia dalin të vetëm. Prandaj asnjëherë nuk i kam kuptuar e as mirëkuptuar talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre, as keqpërdorimin e emrit të tyre për të fituar pushtet. Kjo nuk i bën nder Kosovës”, vijoi Osmani.

Osmani tha se rrezikimi dhe cenimi i marrëdhënieve me shtetet aleate cenon vetë Kosovën dhe është gabim strategjik.

“Të punosh me ata që na kanë ndihmuar ta kemi lirinë e shtetit, asnjëherë nuk është nënshtrim e as shantazhim. Besoj fuqishëm se forca jonë më e madhe qëndron pikërisht në aleancat tona”, tha Osmani të enjten në Kuvendin e Kosovës.

Duke folur në një seancë të bojkotuar nga dy prej tri partive më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmëninë e Kosovës, presidentja e vendit tha se "aleanca e Kosovës me vendet e tjera është më e madhe dhe më e rëndësishme se cilido prej nesh si politikan”.

Ajo bëri thirrje që Kosova t’i ruajë aleancat e saj, sepse ato, sipas saj, janë “gur themel i sukseseve tona dhe investim në të ardhmen tonë, ku Kosova do të jetë anëtare e barabartë në komitetin euroatlantik të kombeve të lira”.

Presidentja Osmani tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian prej vitit 2011, ka qenë “fatkeqësisht i pabalansuar” dhe bëri thirrje për reflektim. Ajo tha se Kosova “është trajtuar padrejtësisht” ndërsa, Serbia është “akomoduar vazhdimisht”.

“Fakti që në tavolinën e dialogut sot, shteti që kreu agresion ndaj Kosovës nuk është nën masa, kurse viktima e këtij agresioni, Kosova, është nën masa, është dëshmia më e qartë e kësaj. Prandaj, është e domosdoshme që të ketë reflektim rreth kësaj qasjeje, nga të gjithë ata që vërtetë duan paqe e stabilitet afatgjatë në rajonin tonë”, tha ajo.

“Por, kjo nuk do të thotë se edhe ne nuk duhet të vetëreflektojmë për rrugën e deritanishme dhe si mund t’i bëjmë gjërat më mirë”, tha ajo.

Qeveria e Albin Kurtit mori kritika të vazhdueshme nga aleatët, këtë vit aq sa Shtetet e Bashkuara dhe BE deklaruan me zyrtarët e tyre se veprimet e njëanshme të qeverisë Kurti kanë ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve më Kosovën. Gjatë këtij viti, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një sërë hapash për ta shtrirë autoritetin në veriun e banuar me shumicë serbe, duke mbyllur institucionet paralele serbe.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?