Policia e Kosovës ka mbajtur ceremoninë solemne me rastin e 26-vjetorit të themelimit të saj. Ceremonia ka nisur me një minutë heshtjeje në nderim të 24 zyrtarëve policorë të rënë në detyrë.
Presidentja Vjosa Osmani tha se Policia e Kosovës është mburoja jonë e sigurt gjithmonë, pasi ky institucion i rëndësishëm është i gatshëm t’i përballojë sfidat e ndryshme me dinjitet dhe guxim, dhe se sot feston jo vetëm ditëlindjen e policisë, por edhe rrugën e ndërtuar përgjatë këtyre 26 vjetëve.
Ajo tha po ashtu se Kosova duhet të anëtarësohet në Interpol dhe organizata e tjera ndërkombëtare, teksa ka përkujtuar policët e rënë në detyrë që mbeten roje e përjetshme e lirisë, duke thënë se liria dhe paqja nuk janë dhuratë, por sakrificë e përditshme që çdo pjesë e Kosovës të mbrohet me çdo kusht.
Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti ka premtuar mbështetjen e vazhdueshme institucionale për Policinë e Kosovës si një institucion i besueshëm në ruajtjen e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët.
Ai ka folur edhe mbi arrestimet e personave të dyshuar për krime lufte ndaj shqiptarëve gjatë kohës së luftës në Kosovë, teksa ka akuzuar Serbinë se po vazhdon të diskriminojë shqiptarët e Luginës duke mos i integruar në institucionet e sigurisë, duke dëshmuar se mbetet një vend autokrat.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha se integriteti mbetet vlerë themelore për Policinë e Kosovës, e cila ka dëshmuar se është në shërbim të drejtësisë dhe sigurisë së qytetarëve tanë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, ka folur mbi rrugëtimin e këtij institucioni të rëndësishëm të sigurisë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.
Në këtë ceremoni solemne, për punën e madhe dhe kontributin e madh janë dekoruar 27 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, dy medalje për shërbim të dalluar, 13 medalje për lavdërim policor, shtatë lëvdata dhe pesë mirënjohje. Po ashtu është prezantuar monografia kushtuar 26 vjet punë e përkushtim të dalluar të Policisë së Kosovës në shërbim të qytetarëve dhe vendit.
Me rastin e 26-vjetorit të Policisë së Kosovës janë mbajtur aktivitete të ndryshme policore dhe sportive. Aktivitetet kanë vazhduar me një demonstrim të njësive policore para fëmijëve të grup-moshave të ndryshme shkollore.
Po ashtu, në të gjitha drejtoritë rajonale policore ka qenë porta e hapur, për pritjen e qytetarëve që kanë shprehur interesim për t’i vizituar stacionet policore dhe për t’i takuar nga afër zyrtarët policorë.
Më 6 shtator 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë, ka hapur Shkollën e policisë dhe ka filluar trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të policisë. Gjenerata e parë e kandidatëve për pjesëtarë të PK-së filloi trajnimin më 6 shtator 1999. Kjo gjeneratë numëroi 176 pjesëtarë, të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës. Ajo sot ka mbi 10 mijë pjesëtarë, djem e vajza nga të gjitha komunitetet në çdo cep të Kosovës.
Përkushtimi i policisë në shërbim të qytetarëve i bën edhe më të këmbëngulur drejt respektimit të ligjit dhe ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim me moton e këtij manifestimi të sivjetmë - “Ditë e natë në shërbim, jam emblemë e shtetit tim”./Kosovapress
Komente
