Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Osmani për Ismail Kadarenë: Liria e Kosovës për të ishte triumfi i kombit shqiptar

3 Korrik, 16:23| Përditesimi: 3 Korrik, 16:29

  • Share

Titan të letërsisë e ka konsideruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shkrimtarin Ismail Kadaren, i cili u përcoll sot në banesën e fundit.

Osmani ishte sot e pranishme në ceremoninë shtetërore të përcjelljes në banesën e fundit të Ismail Kadaresë, ndërsa përmes një statusi Osmani ka ndarë fotografi nga pjesëmarrja teksa shkruan se për shkrimtarin liria e Kosovës ishte triumfi i kombit shqiptar.

“Me zemër të rënduar i thamë lamtumirë penës së shquar dhe kolosit të papërsëritshëm, fjalët e të cilit kapërcyen kufijtë, kulturat dhe kohën. Për dekada të tëra, veprat e Ismail Kadaresë ndriçuan cepat më të errët të historisë dhe shpirtit njerëzor. Aftësia e tij për të gërshetuar historinë, mitet dhe realitetin, e bëri zërin e tij një nga më të veçantët dhe më të fuqishmit në letërsinë bashkëkohore. Prandaj, jemi përgjithmonë mirënjohës për veprat që na la. Liria e Kosovës për të ishte triumfi i kombit shqiptar. Ndërkaq, për kombin shqiptar, vetë ekzistenca dhe vepra e Ismail Kadaresë është triumf i kulturës mbi injorancën dhe i lirisë mbi diktaturën. Lamtumirë, titani i letërsisë, Ismail Kadare!’’, shkruan Osmani.

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?