Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar ndihmën e Shteteve të Bashkuara (SHBA) për përshpejtimin e proçesit të anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), gjatë një takimi me senatorin amerikan, Jack Reed, të martën në Prishtinë.
Zyra e Presidentes ka njoftuar se gjatë takimit Osmani ka theksuar se Kosova është një histori suksesi e përfshirjes së SHBA-së në rrugën e lirisë dhe shtetndërtimit.
“SHBA-ja nuk ka aleat dhe mik më të madh në rajon se sa Republikën e Kosovës, e cila e ka popullin më pro-amerikan në Evropë dhe në botë”, tha Osmani.
Osmani ka falenderuar Reed për mbështetjen e SHBA-së për Forcën e Sigurisë së Kosovës, në përfshirjen e Kosovës në Asistencën e Trajnimit Ushtarak të SHBA-së me Ligjin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2024.
Presidentja tha se synimi i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO, po ashtu edhe në Këshillin e Evropës dhe në BE.
“Kosova synon për anëtarësim në NATO dhe përfshirje në Partneritet për Paqe, ndaj është e rëndësishme edhe e domosdoshme mbështetja e SHBA-së në përshpejtimin e këtij proçesi. Shpresa jonë është që Kosova të jetë sa më parë në Partneritet për Paqe si hap që i paraprin anëtarësimit në NATO”, tha Osmani.
Ajo tha se Kosova ka bërë hapa për shtensionimin e situatës në veriun e vendit “por, ka vënë në dukje veprimet destabilizuese të Serbisë dhe bashkëpunimin e saj me Rusinë”.
“Kosova është shtet multietnik, Kushtetuta e së cilës garanton nivel të lartë të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të të gjitha komuniteteve dhe se këto të drejta dhe liri, janë thelbi i vlerave të shoqërisë së Kosovës dhe si të tilla duhet të mbeten të paprekura”, tha Osmani.