Kaja Kallas dhe Vjosa Osmani

Kosova & Rajoni

Vjosa Osmani takohet me Kaja Kallas në New York: Integrimi në BE, prioritet kryesor! Masat ndaj Kosovës duhet të hiqen, po dëmtojnë qytetarët

25 Shtator, 09:02| Përditesimi: 25 Shtator, 09:52

  • Share

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas në New York, ku ndodhen në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Përmes një postimi, Osmani thotë se kanë diskutuar për zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe rajon.

Presidentja e Kosovës ritheksoi sërish nevojën për të hequr masat e BE-së ndaj Kosovës, të cilat i cilëson si të padrejta. Sipas saj, këto masa të padrejta po dëmtojnë qytetarët e Kosovës.

“Në New York, takova përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas, me të cilën diskutuam mbi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në rajon. Integrimi i Kosovës në BE mbetet ndër prioritetet tona kryesore shtetërore. Në këtë frymë, ritheksova domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës, të cilat po i dëmtojnë të gjithë qytetarët tanë, pa përjashtim.  Kosova mbetet e vendosur për paqe dhe stabilitet afatgjatë.”, thotë Osmani.

BE vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në vitin 2023 për shkak të tensioneve në veri të vendit, të banuar me shumicë serbe. Unioni kritikoi veprimet e qeverisë së Albin Kurtit, por pavarësisht masave, ky i fundit nuk u zmbraps dhe hoqi nga përdorimi dinarin serb si dhe mbylli shumicën e institucioneve të Serbisë.

Më 12 shtator të këtij viti, SHBA pezulloi pa afat dialogun strategjik me Kosovën duke e akuzuar qeverinë në detyrë të Kurtit se ka rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë me veprimet e saj, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si iu duket?