Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me presidentin amerikan, Donald Trump, me të cilin tha se zhvilloi një “bisedë të gjatë dhe shumë përmbajtësore”.
“Miqësia dhe aleanca me Shtetet e Bashkuara mbetet boshti i pathyeshëm. Kosova do të jetë gjithmonë në anën e demokracisë, lirisë dhe partneritetit me SHBA-në, sepse pikërisht aty rreh zemra e lirisë sonë”, tha Osmani, sipas njoftimit të Presidencës.
Takimi mes Osmanit dhe Trumpit u zhvillua në Nju Jork. Presidentja Osmani e falënderoi për, siç tha, “interesimin e veçantë që tregoi rreth rolit të pazëvendësueshëm të Amerikës në Kosovë dhe në rajonin tonë, si dhe për angazhimin e tij të palodhshëm për paqe”.
Osmani po qëndron në Nju Jork ku po merr pjesë në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Më 23 shtator, në pritjen e organizuar nga presidenti Trump, Osmani u takua edhe me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Sipas Presidencës së Kosovës, takimi me Trumpin dhe Zonjën e Parë, Melanie Trump, ishte planifikuar si një takim protokollar, por u shndërrua në një bisedë të gjatë dhe përmbajtësore.
Në Shtetet e Bashkuara po qëndron edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrja në detyrë për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla.
Qëndrimi i zyrtarëve të Kosovës në Nju Jork vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara pësuan një goditje në fillim të këtij muaji.
Uashingtoni njoftoi më 12 shtator për pezullimin e dialogut strategjik, për shkak të veprimeve të Qeverisë në detyrë të Kosovës, që tha se kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë në vend.
Ambasada amerikane në Prishtinë tha se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga Kurti kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.
“Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, tha ajo, pa shpjeguar se për çfarë deklaratash dhe veprimesh bëhet fjalë saktësisht.
Kurti tha më vonë se Qeveria në detyrë ka “disa” dallime në qëndrime me SHBA-në, por nguli këmbë se raportet mes dy vendeve nuk janë prishur.
Ai tha se dallimet mes tij dhe Shteteve të Bashkuara “shpesh kanë të bëjnë me qëndrimet tona në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturave ilegale të saj në Kosovë”.
Ndërkaq, presidentja Osmani kishte shprehur “keqardhje dhe shqetësim të thellë” lidhur me vendimin e SHBA-së për pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik./REL
Komente
