Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar gjatë një takimi me një admiral të NATO-s të premten në Prishtinë se vendi i saj përballet me “kërcënime të vazhdueshme” nga Serbia, tha Presidenca kosovare.
Në takim me komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admiralin Stuart B. Munsch, Osmani “vuri në pah sfidat e sigurisë në veri të vendit dhe kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia”, tha Presidenca në një komunikatë.
Osmani nënvizoi gjithashtu rëndësinë e rolit të misionit paqeruajtës të NATO-s në vend, KFOR si faktor i rëndësishëm për parandalimin e përshkallëzimeve dhe ruajtjen e paqes.
“Në këtë kontekst, ajo ritheksoi se marrëdhënia ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe KFOR-it është jetike për misionin e përbashkët të stabilitetit dhe sigurisë në vend”, thuhet në njoftim.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.
Misioni i NATO-s, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë të larta veçanërisht nga fundi i vitit 2023, kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup serbësh të armatosur në veriun e banuar me shumicë serbe.
Një polic kosovar dhe tre sulmues serbë u vranë në atë sulm në fshatin Banjskë të Zveçanit, dhe përgjegjësinë për të e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Lista Serbe.
Kosova e cilësoi sulmin terrorist dhe e fajësoi Serbinë, por Beogradi e ka mohuar të ketë pasur gisht.
NATO-ja e shtoi praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe, dhe tani ka 4.649 paqeruajtës nga 33 shtete.
Kjo nuk është hera e parë që presidentja Osmani e akuzon Serbinë se përbën rrezik për Kosovës, pasi kohët e fundit ajo i ka përsëritur këtë vazhdimisht.
Ajo e tha këtë të premten paradite kur foli gjatë ceremonisë së ndërrimit të komandës së komandantit të KFOR-it, si dhe gjatë vizitave të saj në Danimarkë të enjten dhe në Shtetet e Bashkuara javën e kaluar.
Në fillim të samitit të Komunitetit Politik Evropian në Danimarkë të enjten, Osmani tha për gazetarët se Rusia paraqet kërcënim për Evropën, ndërkaq Serbia për rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e akuzuar Beogradin se i kopjon veprimet e Moskës.
Duke iu përgjigjur akuzave të Osmanit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të premten vonë se “të gjithë po përgatiten për luftë” dhe se Kosova po “përpiqet ta përdorë këtë kohë para luftës” për t’i bindur shumicën e shteteve evropiane dhe vendet e NATO-s t’ia mbajnë anën Prishtinës.
Vuçiq nuk dha asnjë provë për t’i mbështetur pretendimet e tij se do të ketë luftë. Ai shtoi se Serbia do të “bëjë çmos” për të mos marrë pjesë në atë luftë./REL
Komente
