Oxfam

Oxfam: Klasa e super të pasurve minon bashkëpunimin për të trajtuar varfërinë, ndryshimet klimatike

29 Shtator, 18:59| Përditesimi: 29 Shtator, 19:02

  • Share

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara synon të ofrojë një platformë të barabartë që udhëheqësit të diskutojnë çështjet më urgjente botërore si varfëria dhe ndryshimet klimatike.

Një raport i ri nga organizata bamirëse Oxfam thotë se takimi vjetor i udhëheqësve botërorë po zhvillohet nën hijen e asaj që e quan 'oligarki globale' e kontrolluar nga korporatat super të pasura.

Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Nabil Ahmed i cili udhëheq grupin për drejtësi ekonomike dhe racore me departamentin e Oxfam-it për Amerikën.

“Ata po ndikojnë në krijimin e rregullave në favor të tyre dhe po e bëjnë këtë në kurriz të njerëzve të zakonshëm. Kjo po nxit pabarazi brenda dhe midis shteteve.”

Oxfam thotë se jemi në një epokë të pabarazisë globale ekstreme, ku një grup që përbën 1% të popullsisë së botës zotëron më shumë pasuri se 95% e pjesës tjetër të botës.

“Jetojmë në një botë ku shumë nga mega-korporatat paguajnë pak ose aspak taksa”, thotë Nabil Ahmed me organizatën Oxfam.

Brazili, i cili aktualisht mban presidencën e vendeve të G20, kërkon të vendosë një taksë minimale prej 2% për miliarderët më të pasur të botës dhe thotë se kjo do të siguronte deri 250 miliardë dollarë. Kjo përpjekje mbështetet nga organizata Oxfam dhe shumë grupe të tjera joqeveritare.

Plani mbështetet nga disa vende të G20, përfshirë Afrikën e Jugut, Spanjën dhe Francën, por kundërshtohet nga Shtetet e Bashkuara, që thonë se një marrëveshje globale është shumë e ndërlikuar dhe e panevojshme.

Ministri i financave i Brazilit tha në korrik se transformimi i sistemit aktual të taksave ishte jetik. Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, u shpreh kundër masës gjatë takimit të vendeve të G20 në muajin korrik.

“Është shumë e vështirë që politika e taksave të koordinohet globalisht dhe nuk e shohim nevojën ose dëshirën për të negociuar një marrëveshje të tillë globale. Ne mendojmë se të gjitha vendet duhet të sigurohen që sistemi i tyre i taksave të jetë i drejtë dhe progresiv”, tha Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen.

Oxfam thotë se vendet në zhvillim i shpenzojnë të ardhurat nga taksat për të paguar kreditorët privatë dhe bankat. Organizata bamirëse akuzon gjithashtu kompanitë e mëdha farmaceutike për ndikimin në krijimin e rregullave për të drejtat e pronësisë intelektuale nga të cilat përfitojnë aksionaret e tyre.

Organizata Oxfam thotë se vendet e varfra nuk ishin në gjendje të siguronin vaksinat e duhura kundër koronavirusit edhe pse kompanitë farmaceutike morën miliarda dollarë nga qeveritë për zhvillimin e tyre.

“U përdorën paratë e taksapaguesve për zhvillimin e vaksinave. Në fakt investimet publike prej disa dekadash u përdorën për krijimin e vaksinës mRNA”, thotë zoti Ahmed.

Kompania Pfizer i tha Zërit të Amerikës se u kishte ofruar falas vendeve të varfra vaksinën e koronavirusit, por shumë vende më të pasura kishin bërë përpjekje më të shpejta për të blerë dozat e prodhuara.

Drejtuesi i firmës Pfizer paralajmëroi gjithashtu se eliminimi i të drejtave të pronësisë intelektuale do të dekurajonte kompanitë nga ndërmarrja e një rreziku të madh financiar në zhvillimin e vaksinave të tilla, pikëpamje që mbështetet nga firma të tjera të mëdha farmaceutike./ VOA

G.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?